Vlorë, 70 banesa sociale për të pastrehët

TIRANË, 17 prill/ATSH/- Në qytetin bregdetar të Vlorës shumë shpejt do të fillojë puna për ndërtimin e dy godinave me rreth 70 banesa sociale në zonën e ish-frigoriferit për të pastrehët.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i shoqëruar edhe nga kryetari i Entit Kombëtar të Banesave, Stefan Çipa inspektuan sot punimet për pastrimin e zonës së ish-frigoriferit, e cila ka qenë e mbushur me firma që trajtonin inerte apo servise makinash, në mënyrë abuzive.

“Ne kemi siguruar fondin që të realizohet prishja e zonës së ish-frigoriferit në Vlorë, të cilën e kemi vënë në dispozicion të Entit Kombëtar të Banesave si pronë për të realizuar të gjitha investimet e parashikuara”, – theksoi Leli.

Kryetari Leli u shpreh se “për të realizuar dy investimet e para dhe për të vazhduar më pas me një projekt tjetër më kompleks në mënyrë që territorin që do të jetë në funksion të banesave sociale ta rikthejmë në një qendër të mirë organizuar për të gjithë njerëzit që duan të bëhen pjesë e përfitimit të kësaj oferte bujare me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe të gjithë atyre njerëzve që kontribuojnë për zgjidhjen e problemit të madh të strehimit që trashëgojmë në qytetet tona”.

Duke falënderuar firmën për realizimin e punimeve me ritme të kënaqshme, Leli tha se “shpresojmë që sa më shpejt të kemi përfundimin e procedurave që të ecim me investime të tjera”.

Kreu i Entit Kombëtar të Banesave, Stefan Çipa theksoi se “bashkia e Vlorës është pararojë, pasi ka vënë në shërbim të entit ish-frigoriferin e vjetër”.

Ai bëri të ditur se kanë përfunduar procedurat paraprake pas marrëveshjes që Enti ka bërë me bashkinë Vlorë që në fund të vitit të kaluar.

“Misioni i Entit Kombëtar të Banesave në bashkëpunim me pushtetin vendor ka misionin e ndërtimit të banesave sociale, për të zgjidhur një problem shumë të mbartur që është strehimi i qytetarëve”, – u shpreh Çipa.

Ai tha se “do të fillojmë me pjesën e parë të projektit ku do të ndërtojmë dy ndërtesa me rreth 70 apartamente dhe më pas do të vazhdojmë ta bëjmë të gjithë këtë zonë një qendër atraktive për banorët e Vlorës”. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.