Vendimi i parlamentit holandez, Salianji: Shkak rritja e kriminalitetit

TIRANË, 13 prill /ATSH – I. Vata/ – Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji tha se për shkak të rritjes së kriminalitetit, parlamenti holandez propozon vendosjen e vizave për shtetasit shqiptarë.

Në një deklaratë për mediet, ish-deputeti i PD-së Salianji tha se “Shqipëria është shndërruar në një vend tranzit në rritje për kokainën dhe heroinën, që komandohet gjerësisht nga elementë të krimit të organizuar, evidentohet ndërtimi i laboratorëve të përpunimit të kokainës dhe heroinës në Shqipëri”.

Po ashtu, Salianji shtoi se “grupet mafioze italiane, shqiptarët dhe bandat motorike të jashtëligjshme janë lojtarët kryesorë të krimit në kontinent. “Aktualisht krimi i organizuar përbën rrezikun më të lartë për sigurinë e brendshme të BE – deklaroi dje Europol, duke e veçuar krimin e organizuar dhe mafian shqiptare si rrezik”, tha ai.

“Prej këtij treguesi të lartë të nivelit të kriminalitetit me mbështetje shtetërore në Shqipëri, Parlamenti holandez votoi propozimin për rikthimin e vizave”. theksoi Ervin Salianji. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.