Tiranë, 39 mijë banorë të njësive 3 dhe 4 me qendër shëndetësore të transformuar

TIRANË, 17 prill/ATSH/- Rreth 39 mijë banorë të njësisë 3 dhe 4 në kryeqytet marrin shërbimin shëndetësor në qendrën shëndetësore të rehabilituar.

Investimi në ambulancën 10/1 në Tiranë ka siguruar kushte më të mira pune për stafin dhe shërbim më cilësor për banorët e këtyre njësive.

Kjo qendër shëndetësore është rehabilituar në kuadër të programit të qeverisë për rehabilitimin e 300 qendrave deri në fund të këtij mandati qeverisës.

Një banore shprehet se “sa bukur është bërë, nuk ka qenë kështu ka qenë më keq”.

“Tani janë kushtet më të mira dhe ne punojmë me standarde e kushte më të mira”, – thotë një infermiere e ambulancës.

Një tjetër banore që ka 35 vjet që jeton në këtë njësi shprehet se “tani qendra ka kushte shumë ta mira, ka ndryshuar”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës në këtë qendër shëndetësore thekson se “pika e ambulancës që tashmë e shohim të rehabilituar, të ndryshuar 100% sot ofron disa shërbime që nuk ofroheshin më parë”.

“Flasim për testet parandaluese për kancerin e qafës së mitrës, gjithashtu angazhimi ynë për kontrollin mjekësor bazë, i cili edhe në këtë pikë të ambulancës vijon të jetë në ritme shumë të mira”, – tha Manastirliu.

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati, falënderoi ministren për rehabilitimin e qendrës shëndetësore.

“Ju falënderoj që këtë shëndetësore e kthyet pas 20 vitesh tërësisht funksionale për komunitetin e njësisë 3”, theksoi Ferhati. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.