Takimi i pranverës në Uashington, Denaj: FMN dhe BB përgëzime Shqipërisë për rritjen ekonomike

TIRANË, 17 prill /ATSH/ – Drejtues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bankës Botërore (BB) në mbledhjen e pranverës që u zhvillua në SHBA, konfirmuan rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke përgëzuar vendin për të gjithë punën e bërë në këto vite me kërkesën që të vazhdohet në këtë drejtim.

Kështu deklaroi sot për mediet ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e pyetur në lidhje me mesazhin që përcolli mbledhja e pranverës e FMN-së për ekonominë shqiptare.

“Në fakt u shpreh kënaqësi për arritjen e rezultateve nga të gjithë, si nga drejtuesit e FMN, ashtu dhe Bankës Botërore, ku pozicioni makroekonomik i Shqipërisë u vlerësua si një pozicion i mirë, rritja ekonomike e konfirmuar prej tyre u theksua dhe njëherë që është një rritje që duhet të vijojë dhe duhet të jetë e qëndrueshme. Na përgëzuan për të gjithë punën e bërë në këto vite dhe na kërkuan që të vazhdojmë në këtë drejtim. Në fakt ishte një takim shumë i mirë dhe besoj që në vijim, me ndihmën e tyre, do të realizojmë vijueshmërinë me reformat që kemi nisur”, theksoi ministrja e Financave dhe Ekonomisë.

Denaj tha se mesazhi kryesor i përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë të ekonomisë, ishte qëndrueshmëria e politikave fiskale.
“Në fakt është shqetësim i tyre por edhe tregu kërkon një farë qëndrueshmërie, parashikueshmërie, sepse në fund të ditës janë bizneset dhe individët, në rastin kur prek këtë pjesë të tatimpaguesve, që kanë nevojë për parashikueshmëri në terma afatmesëm. Në këtë aspekt, ne jemi duke punuar edhe për të parë se si politikat tona fiskale në vite kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik. Aty ku ka funksionuar dhe është marrë output të vijohet dhe të shikohet se si kjo mund të rritet, aty ku nuk ka funksionuar të mund të ridimensionohet. Edhe në këtë diagnozë ne morëm konfirmim që do të mbështetemi prej tyre, sidomos nga Banka Botërore me konsulencë të dedikuar në këtë aspekt dhe mendojmë që, sigurisht çdo vijueshmëri do të jetë për projektet afatmesëm, 3-vjeçar deri në 5-vjeçar, pasi kjo krijon një qëndrueshmëri më të lartë”, – deklaroi ministrja Denaj.
Në mbledhjet e pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që u zhvillua në 12-14 prill 2019, Shqipëria u përfaqësua nga një delegacion i përbashkët, i përbërë nga Banka e Shqipërisë, me përfaqësues Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zëvendësguvernatoren e Parë, Luljeta Minxhozi, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të linjës. /e.xh/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.