Tabaku: Bashkia e Tiranës ka dyfishuar taksat

TIRANË, 16 prill /ATSH – I. Vata/ – “Taksat e bashkisë Tiranë janë dyfishuar gjatë viteve 2015-2019. Biznesi është më i prekuri gjatë drejtimit të bashkisë nga Erjon Veliaj”, ka deklaruar sot në një deklaratë për mediet, ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku.

Ish-deputetja e PD-së akuzoi bashkinë e Tiranës se u ka marrë qytetarëve 328 milionë euro taksa shtesë.

“Që në paketën e parë fiskale, të miratuar në dhjetor 2015 në këshillin bashkiak, ai ndërmori hapin represiv dhe diskriminues ndaj bizneseve dhe qytetarëve. Sot ata që jetojnë dhe punojnë në Tiranë paguajnë 328 milionë euro taksa shtesë, të cilat nuk janë investuar në punë publike, që nuk i shërbejnë modernizimit të qytetit dhe rritjes së cilësisë së jetës në Tiranë. Bizneset janë më të prekurit nga rritja e taksave në kryeqytet nën drejtimin e kryebashkiakut Veliaj. Sot rreth 51 mijë biznese në Tiranë paguajnë taksa 2-3 herë më shumë se 4 vite më parë. Në krahasim me vitin 2015, taksat për biznesin e vogël janë mbi dyfishuar”, tha ajo.

Duke krahasuar faturat e bizneseve për periudhën 2015-2019, Tabaku sqaroi se “një sipërmarrës që zotëron një market të vogël në zonën e Tiranës, paguan 410 mijë lekë më shumë taksa në vit. Një biznes i mesëm, paguan 540 mijë lekë më shumë për arkën e bashkisë, e cila i heq kështu mundësinë biznesit të mesëm të punësojë një person më të kualifikuar. Një biznes i madh paguan 1 milion e 70 mijë lekë më shumë taksa”.

Po ashtu, Tabaku shton se rritja e taksave nga bashkia është arsyeja se pse sot në Tiranë janë mbyllur mbi 25 mijë biznese.

“Taksa e pronës është rritur nga 2 deri në 4 herë. Taksa e pastrimit është dyfishuar. Taksa e arsimit, një taksë e re e vendosur nga Veliaj, ka çuar në arkën e bashkisë 20 milionë euro, por sot shkollat po jepen me P.P.P. Këto 4 vite në Tiranë është rritur çdo taksë, dhe vetëm nga mbi dyfishimi i taksave ka patur 328 milionë euro më shumë në arkën e bashkisë”, tha Tabaku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.