Senatorët francezë: Shqipëria rezultate pozitive në procesin e reformave

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ – Senatorët francezë në takimin e sotëm me Kryetaren e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, deklaruan se do të përcjellim mesazhe pozitive në favor të Shqipërisë.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, Mimi Kodheli priti sot një delegacion të kryesuar nga senatori francez Rachel Mazuir, kryetar i Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri, shoqëruar nga senatorët Rene Danesi dhe Jean-Jaques Lozach, si dhe nga Alban Wydouw-Aziavi, sekretari ekzekutiv i grupit.

Në takim, Kodheli shprehu solidaritetin me të gjithë popullin francez për katastrofën e shkaktuar nga zjarri në Katedralen e Parisit, duke theksuar se pavarësisht nga dëmi i pallogaritshëm, ajo përbën një simbol dhe si e tillë mbetet e pacenuar dhe e paprekshme.

Duke folur për kontekstin gjeopolitik në Europë, Kryetarja Kodheli shprehu dakordësinë e saj me idetë novatore të Presidentit Macron për një ripërtëritje europiane.

Ajo tha se  burokracia e tepërt nga njëherë e dëmton demokracinë, çka përbën një fenomen që po vihet re sot në Europë.

Më tej, Kodheli kërkoi nga senatorët francezë mbështetjen e tyre në favor të hapjes së negociatave midis Shqipërisë dhe BE, duke theksuar se në epokën e globalizmit, Shqipëria është një konservuese e vlerave europiane, që simbolikisht i ka të shprehura në flamurin e saj dhe të cilat përcaktojnë edhe orientimin e saj të pashmangshëm perëndimor.

Senatori Rachel Mazuir, duke folur për situatën në vend dhe çështjen e negociatave me BE, senatori francez u shpreh se nga takimet që kishin patur, përfshirë edhe me Përfaqësuesin e BE në Shqipëri, ata ishin informuar për rezultatet pozitive të arritura në procesin e reformave.

“Ne si senatorë nuk marrim vendime, por do të jemi ambasadorë të mirë dhe do të përcjellim mesazhe pozitive në favor të Shqipërisë, tha Mazuir.

Edhe senatorët Lozach dhe Danesi u shprehen në favor të procesit të zgjerimit europian, por theksuan se çështja imediate e negociatave midis Shqipërisë dhe BE është akoma e hapur dhe në një varësi të konsiderueshme nga rezultatet e zgjedhjeve europiane dhe zhvillimet e ardhshme në vendet anëtare. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.