Ruçi-Borchardt: Të gjitha forcat politike të marrin pjesë në zgjedhjet lokale

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, priti kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt me të cilin bisedoi mbi zgjerimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Prezencës së OSBE-së, si dhe mbi situatën politike në Shqipëri, pas dorëheqjes së 57 deputetëve të opozitës.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, bashkëbiseduesit ishin të një mendjeje se Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë janë plotësisht legjitimë, të dalë nga zgjedhje të rregullta, të certifikuara nga vetë komisionerët e opozitës dhe raportet e OSBE-ODIHR dhe se e ardhmja e vendit dhe konsolidimi i sistemit demokratik kërkojnë që të gjitha forcat politike të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ndërsa reforma zgjedhore konsensuale të përfundojë para zgjedhjeve të parlamentare të vitit 2021.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi kërkoi që në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit, t’i jepet përparësi trajnimit dhe kualifikimit të deputetëve të rinj, për njohjen sa më të shpejtë e të thelluar prej tyre të procedurave parlamentare dhe rritjen e kontributit në komisionet e Kuvendit, në funksionin ligjvënës dhe kontrollin parlamentar, përmirësimit të transmetimeve televizive të punimeve dhe  veprimtarive të Kuvendit, mbështetjen e funksionimit të TV Kuvendi, zgjerimin e aksesit informativ nga personat me nevoja të veçanta etj.

Më tej Ruçi nënvizoi gjithashtu se po punohet që përmirësimi i Rregullores së Kuvendit të pasqyrojë më mirë standardet e reja të Kodit të Sjelljes së Deputetëve.

“Kuvendi po bën të gjitha përpjekjet që hartimi dhe miratimi i ndryshimeve në Rregullore të pasqyrojë një spektër sa më të gjerë mendimesh e kontributesh, në radhë të parë kontributin e deputetëve të opozitës”, tha ai.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.