Reforma Zgjedhore, Balla: Të hapur për konsensus me opozitën

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ – “Ne kemi qenë të hapur për çdo lloj dialogu, sa kohë që dialogu respekton mandatet legjitime demokratike të institucioneve në vend”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Balla thekson se kurrë më parë nuk ka patur një mazhorancë kaq të hapur për të kërkuar konsensus për reformën zgjedhore.

“Shqipëria është në një proces të rëndësishëm të aspiratës së vet të integrimit europian dhe si e tillë mbetet e domosdoshme që ne të adresojmë rekomandimet e OSBE/ODIR në kuadrit tonë ligjorë zgjedhor dhe për ketë qëllim dua të informoj se deputetë e opozitës kanë kërkuar se në kuadër të Komisionit të Reformës Zgjedhore, pjesë e diskutimit të jetë edhe diskutimet për sistemin zgjedhor në respekt të fjalës së dhen kam depozituar kërkesën në Kuvend për të vijuar punën komisioni, sikur mirëpres nga grupi i opozitës në Kuvend që të plotësojmë dhe 9 vakancat e opozitës në këtë komision. Ndërkohë ne i kemi dhënë mundësinë PD-së të ketë përfaqësuesin e vetë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, duke i dhënë në fakt dy veto opozitës dhe një mazhorancës, pra jemi në një fazë ku në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, opozita ka shumicën”, tha ai.

Porsa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe të prekjes së vetë Kushtetutës, Balla tha se PS nuk i ka vota por është e hapur për diskutimet me deputetët e opozitës në Kuvend dhe shpresoj se me deputetë e opozitës ne të arrijmë të identifikojmë qartë ndryshimet qoftë në Kod Zgjedhor, pra ndryshimet e propozuar nga ODIHR, kanë të bëjnë me kodin.

“Edhe pak ditë nda ndajnë nga afati për regjistrimin e partive politike që është 21 prilli. Apeli im është që partitë politike të regjistrohen në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Nga informacionet që kam janë 25 parti deri më tani të regjistruara për zgjedhje të 30 qershorit dhe ne partitë politike kemi detyrimin të regjistrohemi në zgjedhje sepse zgjedhjet i bënë populli një herë në katër vjet për pushtetit vendor”, tha ai.

Porsa i përket diskutimeve të Kodin Zgjedhore më deputetët e rinj, Balla tha se në vendimin për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore kemi përshtatur funksionalitetin e tij me situatën e re politike të krijuar.

“Ne shikojmë që ka një ndarje mes deputetëve të rinj dhe lidershipit të PD-së. Deputetë e rinj vijnë nga lista e PD-së, ndonëse ata janë mohuar nga Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë. Ne kemi krijuar mundësin e një përfaqësuesi jo parlamentar të Partisë Demokratike në komision i cili ka të njëjtat të drejta si 9 anëtarët e mazhorancës apo të opozitës, pra kemi një situatë me tre faktorë me tre vendimmarrës, dy i ka opozita dhe një mazhoranca”, tha ai.

Përsa i përket ndryshimeve në sistemin zgjedhor, Balla tha se jam pro këtij sistemi që kemi sepse kam votuar këtë sistem në vitin 2008.

“Këtë sistem e kam votuar me bindjen se ky është një sistem i mirë politike dhe në Shqipëri nuk është sistemi problem, por ka një prirje ndaj atyre që humbin zgjedhjet shpesh që ta gjejnë fajin te sistemi, faji nuk është te sistemi. Por nisur nga kërkesa e LSI-së dhe PD-së kemi dhënë dakordësinë për të qenë më të hapur në këtë drejtim, sepse në fund të fundit Kuvendi është përfaqësues i popullit”, tha ai.

Po ashtu, Balla kërkoi nga PD dhe LSI që të rifillojnë komunikimin me deputetët e tyre në Kuvend me qëllim që deputetë të jenë realisht përfaqësuesit e opozitës atje.

“Ajo që vlen të theksohet është se nuk kemi më zonë që të mos përfaqësohen nga deputetë të opozitës dhe ky është një hap i mirë pozitiv i përfaqësimit”, tha ai.

Për sa i përket zgjedhjeve të parakohshme të kërkuara nga opozita, Balla tha se sovrani ka përcaktuar qartë se mandati i këtij Kuvendi është katërvjeçar dhe përfundon më 9 shtator të 2021 dhe Partia Socialiste me punën që ka bërë, do të marrë edhe një mandat të tretë qeverisjeje. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.