Oblak rinovon me “Atletico Madrid” deri në vitin 2023

TIRANË, 17 prill /ATSH/ – Jan Oblak shuan çdo dyshim lidhur me të ardhmen e tij.

Portieri slloven ka vendosur të qëndrojë tek “Atletiko e Madridit” pasi ka rinovuar zyrtarisht kontratën me “Los Colchoneros” deri në verën e vitit 2023.

Kontrata e mëparshme e Oblak skadonte në vitin 2021 ndërkohë që në marrëveshjen e re është përmirësuar ndjeshëm paga e gardianit i cili tashmë do të përfitojë plot 10 milionë euro në sezon, një shifër e konsiderueshme kjo për një portier, por Oblak e ka treguar veten gjatë këtyre viteve të fundit dhe kjo ishte arsyeja që “Atletiko e Madridit” i ka plotësuar çdo kërkesë numrit 1, pasi për Oblak kanë shfaqur interes shumë klube të mëdha.

Në marrëveshjen e re është rritur edhe klauzola e largimit nga 100 në 120 milionë euro, me Oblak që nëse do të shitej do të bëhej portieri më i shtrenjtë në botë.

Slloveni mbërriti në Madrid në vitin 2014 nga “Benfika” për 16 milionë euro. 26-vjeçari ka zhvilluar 203 ndeshje me fanellën e “Atletikos”, ku 115 prej tyre i ka mbyllur pa pësuar gol (56,6%).

Në pesë sezone në Spanjë, Oblak ka fituar një Superkupë të Spanjës, një Europa League dhe një Superkupë Europe.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.