Lezhë/ Mbillen 5 mijë rrënjë akacie në zonën e kalasë

TIRANË, 17 prill /ATSH/ – Bashkia Lezhë do të mbjellë gjatë këtyre ditëve pesë mijë rrënjë bimë, kryesisht akacie në zonën rreth kalasë së qytetit.

Drejtori i Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural në Lezhë, Luigj Frangaj u shpreh se, “po bëjmë të mundur rikthimin në sipërfaqe të gjelbëruar të zonës rreth kalasë të qytetit. Meqenëse kemi një degradim masiv të kësaj kurore menduam që nëpërmjet projektit që është bërë nga sektori i pyjeve pranë bashkisë dhe me donatorë që kanë dhuruar akaciet ne po bëjmë të mundur mbjelljen e rreth 5 mijë fidanëve akacie në këtë sipërfaqe. Kjo do i shërbej shumë kësaj kurore dhe për faktin se prej vitesh ka patur erozion, pra dhe redukton erozionin gjithashtu krijon dhe njëherë panoramën e bukur”.

Përgjegjësi i Sektorit të Pyjeve në Lezhë, Kreshnik Alsani tha se “ne po bëjmë një punë të kërkuar dhe nga Agjencia e Monumenteve të Kulturës. Brenda javës do mbjellim 5 mijë rrënjë akacie ku më pas do vijojmë me mbjelljen e ullirit dhe me shegën e egër”.

Për të parandaluar dhe minimizuar shkallën e erozionit, puna e nisur do të vijojë edhe në zona të tjera të Lezhës. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.