Kryemadhi: Qëndrimi i parlamentit holandez, goditje e rëndë për integrimin e vendit

TIRANË, 13 prill /ATSH – I. Vata/ – “Parlamenti holandez provon faktin se nuk janë protesta e opozitës dhe djegia e mandateve arsyeja e mosçeljes së negociatave, por është kapja e shtetit nga krimi”, deklaroi sot në një deklaratë për mediet, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Kryemadhi e ka konsideruar vendimin e parlamenti holandez për vendosjen e vizave ndaj Shqipërisë, si një goditje të rëndë për integrimin e vendit.

“Debati dhe vendimmarrja e djeshme e parlamenti holandez për t’i propozuar Komisionit Europian kthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë është një goditje e rëndë për rrugëtimin e Shqipërisë dhe për mundësinë e mohimit të një të drejte të fituar me sakrifica dhjetë vite më parë, siç ishte e drejta e lëvizjes së lirë pa viza”, tha Kryemadhi.

Ajo tha se motivacioni është dhe më i rëndë, sepse ka të bëjë me sigurinë kombëtare të Holandës nëpërmjet shtimit të grupeve kriminale me origjinë shqiptare dhe veprimtarisë së tyre në atë vend.

“Ky fenomen i ngritur zyrtarisht nga Holanda rrezikon të marrë një efekt zinxhir në debatin e ardhshëm të vendet e BE-së mbi procesin e integrimit europian dhe çeljen e negociatave”, tha ajo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.