Italiani Edi Reja merr drejtimin e Kombëtares Shqiptare të Futbollit

TIRANË, 17 prill/ATSH/ – Edi Reja është trajneri më i ri i kombëtares shqiptare të futbollit. Ai nënshkroi me kuqezinjtë për një sezon, me opsion edhe për një tjetër. Trajneri Reja do të qëndrojë në stolin e kombëtares kuqezi deri në nëntor 2019.

“Falenderoj presidentin Duka që më besoj mua. Isha i ftuar për të parë ndeshjen e parë të kombëtares shqiptare. Kisha një kontakt me Dukën, pasi unë kisha ardhur për të parë futbollistë të ndryshëm, por presidenti më bëri kërkesë. Kontrata ime do të përfundojë në nëntor dhe më pas do të shikojmë nëse do të ketë një kontratë për një vit tjetër. Edhe në eksperiencat e mia të mëparshme kam firmosur për një sezon dhe më pas kam rinovuar. Kisha mundësi për të drejtuar një skuadër në Seria A, por më pëlqente një ide për të drejtuar kombëtaren. Lojtarët duhet ta ndjejnë fanellën që mbajnë veshur. Shqipëria ka kualitete që duhet të dalin në sipërfaqe”, – u shpreh ai gjatë prezantimit.

Sipas trajnerit Reja, eksperienca ka të bëj shumë në një skuadër, duke vlerësuar arritjet e De Biazit me Kombëtaren Shqiptare.

“De Biasi bëri historinë me kombëtaren shqiptare. Panucci bëri mirë, por nuk arriti të marrë rezultatet. Eksperienca ka të bëj shumë në një skuadër. De Biasi e njihte shumë mirë futbollit dhe arriti të marr edhe rezultatet. De Biasin e kam edhe mik. Shpresoj të konsultohem me të. Panucci është një brez tjetër. “Dua të njoh nga afër futbollistët dhe më pas do të vendos se me cilët futbollist do të vendos të luaj. Nuk dua të ndryshoj skemën. Nuk dua të ndryshoj shumë nga filozofia e De Biasit. Kam folur me të dhe më ka përkrahur shumë”, – theksoi ai.

Reja është trajneri i tretë italian që ulet në stolin e Kombëtares Shqiptare të Futbollit pas De Biazit dhe Panuccit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.