GJERMANI – AfD-ja gjobitet rëndë për financime të paligjshme

BERLIN, 17 prill /ATSH-DPA/ – Gjykata gjermane gjobiti të martën partinë e së djathtës ekstreme ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD) me 402 900 euro (455 000 dollarë) për financime të paligjshme.

Vendimi i Gjykatës Federale Administrative ka të bëjë me pagesat e bëra nga agjencia zvicerane e reklamave ”Goal AG” për liderin aktual të AfD-së, Joerg Meuthen dhe anëtarin ekzekutiv të partisë, Guido Reil në zgjedhjet e viteve 2016 dhe 2017.

Të dy politikanët janë kandidatët kryesorë për partinë në zgjedhjet europiane në maj.

Meuthen tha se e kishte kundërshtuar vendimin dhe e quajti atë “një qëndrim juridikisht të gabuar”.

Ai kishte deklaruar se partia e tij do të kundërshtojë pagimin e këtyre penaliteteve në të gjitha mënyrat e mundshme ligjore, duke thënë se ata nuk kanë bërë asgjë të gabuar.

Meuthen tha për gazetën gjermane ”Die Welt” se kishte marrë shërbime mbështetëse si postera dhe fletushka me vlerë rreth 89 800 euro nga agjencia e reklamave, të cilat gjykata i përcaktoi si donacione të paligjshme.

Gjykata tha gjithashtu se Reil kishte marrë gjithashtu dhurime me vlerën 44 500 euro.

Dhurimet ndaj partive, të bëra nga jashtë Bashkimit Europian janë kundër ligjit në Gjermani.

Zvicra nuk është pjesëtare e BE-së.

Penalizime të tjera mund të presin AfD-në për shkak të pagesave për anëtaren e partisë të një dege lokale në Gjermaninë Jugore, Alice Weidel , nga një firmë farmaceutike zvicerane./ /esko/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.