FOTO/ Bashkëpunim Shqipëri-Slloveni në fushën e agroturizmit dhe të mjedisit

TIRANË, 17 prill /ATSH/ – Në kuadrin e vizitës në Slloveni, Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit zhvilloi takime në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Pyjeve, si dhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Sllovenisë.

Ministri Klosi në takimin e zhvilluar me Aleksandra Grivec, ministre e Bujqësisë, Ushqimit dhe Pyjeve të Sllovenisë dhe Tanja Strniša në këtë ministri, ndër të tjera u fokusua në modelin dhe përvojën sllovene në fushën e agroturizmit. Bashkëbisedueset u treguan të gatshëm për ofrim ekspertize dhe përvoje për adresimin sa më të mirë të projektit të 100 fshatrave turistikë në Shqipëri.

Ndërsa në takimin me Simon Zajc, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Sllovenisë, temat kryesore të trajtuara ishin përvoja dhe modeli slloven në mbrojtjen e mjedisit, kombinimin e tij me turizmin, përafrimi i legjislacionit në fushën e mjedisit me atë të BE-së, si dhe përfshirja e Shqipërisë në projekte të fushës së mjedisit, që financohen me fonde të BE-së.

Në të dy takimet, autoritetet qeveritare sllovene shprehën gatishmëri për konkretizimin e bashkëpunimit dhe vijimin e tij në mënyrë të qëndrueshme, duke ofruar ekspertizë, asistencë dhe përvojë si për agroturizmin, ashtu edhe për mjedisin. Ministri Klosi gjatë takimeve shoqërohej nga ambasadori Pëllumb Qazimi. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.