Energjia, Shqipëria me nivel të mirë pajtueshmërie me mjedisin

TIRANË, 17 prill/ATSH/ – Në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisit u prezantua raporti vjetor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për vitin 2018 nga drejtori ekzekutiv i Sekretariatit të komunitetit të Energjisë, me seli në Vjenë, Janez Kopac.

Gjatë prezantimit të raportit, drejtori ekzekutiv i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac u shpreh se Shqipëria ka arritur një nivel të mirë të pajtueshmërisë mjedisore sa i përket transpozimit, por ka edhe një sërë problemesh, kur bëhet fjalë për zbatim praktik.

“Shqipëria është pjesëmarrëse e Non-Annex I të UNFCCC dhe ka ratifikuar marrëveshjen e Parisit, në nëntor 2016. Miratimi i Ligjit për ndryshimet Klimaterike është ende pezull, si edhe është ngritur formalisht me urdhër të Kryeministrit, miratuar në 7 mars 2019, një grup pune për përgatitjen e NECP-ve, (planet kombëtare për energjinë dhe klimën) të integruara”, theksoi ndër të tjera Kopac.

Gjithashtu, Kopac shtoi se vlerësimet e ndikimit në mjedis dhe vlerësimet strategjike mjedisore të projekteve të hidrocentraleve, duhet të kryhen në përputhje të plotë me Acquis.

Të pranishëm në komisionin e së mërkurës ishin Gjergj Simaku, Agim Bregasi dhe Mirjana Xhaferri përfaqësues nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Petrit Ahmeti kryetar i Bordit të Komisionerëve ERE, Maksim Shuli, Erjola Sadushi dhe Rajmonda Islamaj komisionerë në ERE, Entela Çipa nga Agjencia e Eficiencës së Energjisë, Fatbardha Bytyçi përfaqësuese nga OST, Erion Tase nga Akademia e Studimeve Politike, etj.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.