Dibër/ Rikonstruktohet gjimnazi “Fiqiri Dine” në Maqellarë

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ – Bashkia Dibër ka zhvilluar një ceremoni me rastin e përurimit të rehabilitimit të gjimnazit “Fiqiri Dine” në Maqellarë.

Realizimi i projektit të rehabilitimi të ambienteve të jashtme të gjimnazit “Fiqiri Dine” në Maqellarë u realizua më mbështetjen e qeverisë zvicerane dhe austriake.

Në ceremoni merrnin pjesë përfaqësues të arsimit, kryetari i bashkisë Dibër Muharrem Rama, Carl Heller, Drejtor i Zhvillimit Rajonal në Shqipëri si dhe mësues dhe qytetarë të Maqellarës.

Kryetari i bashkisë, Muharem Rama tha se punimet për rikonstruksionin e shkollës përfshinë punimet e jashtme, këndet sportive dhe sistemin e sigurisë.

“Pas shkollës “Fiqiri Dine” në Maqellarë, ne shumë shpejt me mbështetje të qeverisë do nisim ndërtimin e një shkollë të re në Kërçisht dhe do t’u shërbej komunitetit atje”, tha ai.

Po ashtu, Muharem Rama vlerësoi lart figurën e Fiqiri Dines, si një njeri nacionalist dhe me vlera të mëdha kombëtare.

Nga ana e tij, Carl Heller, Drejtor i Zhvillimit Rajonal në Shqipëri tha se “arsimi është çelësi për çdo zhvillim dhe çdo sukses”.

Carl Heller shtoi se të gjitha projektet në të gjithë vendin kanë qenë në infrastrukturën edukative, por ky projekt ka qenë i veçantë sepse kontribuon në projektin e një vepre që ishte por që përmirëson nevojat e njerëzve.

“Ishte një projekt i drejtpërdrejtë të krijonte ambiente që e plotësojnë me ambiente më të këndshme për nxënësit dhe për stafin e saj”, tha ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.