Bregu i Lumit, Basha: Policia goditi banorët dhe përfaqësuesit e opozitës

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar policinë bashkiake dhe shefin e komisariatit 4, Agim Hoxha për ushtrim dhune ndaj banorëve të Bregut të Lumit në Tiranë dhe ndaj përfaqësuesve të opozitës.

“Dhunuesi i zonjës tek Bregu i Lumit është shefi i komisariatit 4, Agim Hoxha, një bandit me uniformë, që ka dhunuar më parë edhe qytetarët dhe përfaqësueset gra të opozitës. Dhunuesi tjetër është fytyra e Erion Velisë në Policinë Bashkiake, që ka rrahur dhe dhunuar më parë edhe gjyshet që shesin prodhimet e bahçes për të mbajtur frymën gjallë, si dhe shumë qytetarë të pambrojtur”, tha ai.

Ai u bën thirrje shqiptarëve të qëndrojnë të bashkuar për t’i dhënë fund kësaj qeverisje.

“Thirrja ime për çdo shqiptar është të qëndrojmë në këmbë! Të qëndrojmë të bashkuar dhe të vendosur për t’i dhënë fund dhunimit të Shqipërisë nga një grup banditësh me pushtet të vjedhur e të blerë me krimin. Së bashku do të bëjmë të mundur që dhunuesit e shqiptarëve, nga Edi Rama, deri tek banditët me uniformë, të japin llogari para ligjit për çdo padrejtësi!”, u shpreh ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.