Braçe: Jo Holanda, por Basha në betejë kundër shqiptarëve

TIRANË, 17 prill/ATSH/ “Nuk ka betejë të Holandës kundër shqiptarëve, por ka betejë të Lulzim Bashës kundër shqiptarëve”, deklaroi sot zv.kryeministri Erion Braçe.

Braçe nënvizoi qëndrimin e djeshëm të qeverisë së Holandës, por edhe qëndrimet e shprehura sot të delegacionit të KE-së në Tiranë dhe Komisionit Europian, të cilët gjithë bashkë deklaruan se nuk rikthehen vizat për shqiptarët.

Kjo, tha ai, “dëshmon në mënyrë të qartë se ka një betejë kriminale të Lulzim Bashës kundër shqiptarëve”.

“Kërcënimet e sotme të Lulzim Bashës dhe gojtarëve të tij se, do të ketë të tjera parlamente që do marrin të njëjtin vendim, dëshmojnë se ecejaket e Lulzim Bashës nëpër zyrat politike të partive të ekstremit të djathtë e deri raciste, janë beteja e tij e përditshme kundër shqiptarëve”, tha Braçe.

Ai theksoi se, “Basha është i dëshpëruar për mbështetësit që pakësohen duke i lënë rretherrotull veç një grusht keqbërësish të dhunshëm”. “I tmerruar që qytetaria masive e Tiranës dhe çdo qyteti tjetër të madh apo të vogël nuk e mbështet, nuk e ndjek por e përçmon, Lulzim Basha mendon se do i marrë me vete duke ju hequr të drejta apo cenuar në ekonominë e tyre, duke i bërë të pakënaqur dhe duke ju treguar me dorë qeverinë”, vijoi Braçe.

Sipas zv/kryeministrit, “më kriminal se kaq nuk mund të ketë”. “As që e diskutoj që qeveria ka problemet e saj në administrim e shërbim ndaj qytetarëve. Me to po merremi dhe fort madje, duke pastruar dhe modernizuar, duke shërbyer. Por, në këtë rast është Lulzim Basha, vetëm dhe kriminal kundër shqiptarëve! Askush tjetër”, tha ai.

Po ashtu, Braçe solli në vëmendje deklaratën e djeshme në parlamentin holandez të ministrit të Brendshëm të Holandës, Kajsa Ollongren.

“Ai i shpjegoi Parlamentit dje se, nëse në vitin 2016 ishin 710 shqiptarë të dyshuar për vepra penale, në 2017-n numri i të dyshuarve zbriti në 499 dhe pësoi një ulje të mëtejshme vitin e shkuar, me 476. Numri i shqiptarëve të dyshuar për kryerjen e krimeve në Holandë është i papërfillshëm, me më pak se 0,2% të totalit të krimeve të regjistruara përgjatë një viti”, citon Braçe ministrin e Brendshëm të Holandës.

Po ashtu, sipas tij, “nëse në 2018-n kishte 476 shqiptarë të dyshuar, midis pakicave të tjera kombëtare ishin 10520 polakë të dyshuar, pothuajse 4 mijë rumunë, 3300 algjerianë, 3500 belgë, mbi 3 mijë bullgarë, e shifra më të madhe kriminaliteti se shqiptarët kanë edhe algjerianët, marokenët, spanjollët, rusët, somalezët, portugezët, shtetasit e vendeve baltike, gjeorgjianë, etj.”.

“E kuptoni? Lulzim Basha ju ka shpallur luftë”, përfundon Braçe deklaratën e tij.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.