Balla: Deputetja holandeze që propozoi rikthimin e vizave, mike e Lulzim Bashës

TIRANË, 17 prill/ATSH/ – Kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë një interviste për “News 24” u shpreh se “deputetja që propozoi rezolutën është mike e Lulzim Bashës”.

Sipas Ballës, populistët po bëjnë gjithçka që të denigrojnë kombin shqiptar.

“Së pari, duhet të kuptojmë se Parlamenti holandez funksionon më ndryshe se tek ne, çdo deputet ka mendimin e tij. Deputetja që propozoi rezolutën është mike e ngushtë e Lulzim Bashës. Populistët po përdorin çdo mjet që të denigrojnë kombin shqiptar. Lidhur me këtë rezolutë. Nuk janë shqiptarët grupi më problematik i krimit në Holandë. Kriminaliteti i shqiptarëve që jetojnë në Holandë është 20 herë më pak se i polakëve”, – theksoi Balla.

Lidhur me këtë çështje, Balla i cilësoi si të turpshme reagimet politike në vend, duke theksuar se regjimi i vizave vendoset vetëm kur ka azilkërkues, fenomen i cili sipas Ballës ka rënë.

“Ajo që e bënë mjaft shqetësuese është reagimi i turpshëm politik që ndodh në Shqipëri. Frenat e dorës nga BE për regjimin e vizave ngrihen vetëm kur ka azilkërkues, ky ka rënë, por së bashku me të ka rënë dhe kriminaliteti. Reagimi zyrtar i Holandës qetësoi shpirtrat e trazuara. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer mes dy vendeve. Ajo që është për të ardhur keq, është reagimi antishqiptar nga politika në vend”, – theksoi Balla.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.