Vlorë/ Qarkullonte me armë në qytet, ndalohet 29-vjeçari

TIRANË, 16 prill/ATSH/- Një 29-vjeçar nga Vlora u ndalua nga forcat e policisë, pasi qarkullonte me armë zjarri në zonën e Ujit të Ftohtë.

Drejtoria e Policisë Vendore të Vlorës bën të ditur se “E.H., 29 vjeç, banues në Vlorë gjatë tentativës për ti shpëtuar policisë, ka hedhur në tokë armën e zjarrin tip pistoletë CZ-P09, me 16 fishekë”.

Sipas policisë, 29-vjeçari ka qenë edhe më parë i arrestuar për armëmbajtje pa leje në vitin 2012.

Ndalimi i 29-vjeçarit u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit mes policisë dhe qytetarëve, të cilët kanë njoftuar se ai po qarkullonte me armë në qytet.

Menjëherë janë organizuar shërbimet e policisë, të cilët kanë konstatuar pranë një lokali në Ujin e Ftohtë personin e dyshuar, i cili sapo ka parë policinë ka tentuar të largohet.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Policia e Vlorës falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin dhe fton cilindo për të denoncuar çdo paligjshmëri duke iu garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.