Task Forca për kontrollin e barnave, në 2 muaj 121 farmaci në sitë

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Me urdhër të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu është ngritur Task Forca e ushtrimit të kontrollit të barnave, ku deri tani kanë kaluar në sitë 121 farmaci.

Ministrja Manastirliu ka garantuar se nuk do të tolerohen farmacitë, të cilat ushtrojnë aktivitetin jashtë kushteve të sigurisë.

Nga të dhënat e bëra publike nga Ministria, rezultatet e kontrolleve 2-mujore të Task Forcës për sigurinë e barnave tregojnë se janë ndërmarrë një sërë masash kundrejt tyre.

Sipas MSHMS, janë kontrolluar 121 farmaci, janë dhënë 46 masa për shkelje administrative dhe për mungesë të recetave sipas klasifikimit, 13 masa për barna pa recetë, 4 masa për ruajtjen dhe shpërndarjen e barnave, 1 masë për tregtim të barnave spitalore, 1 masë për ushtrim aktivitetit në mungesë të farmacistit.

Gjithashtu, janë 13 farmaci që nuk duhet të ushtrojnë aktivitetin e tyre, 2 farmaci nuk tregtojnë barna në referim të paketimit të jashtëm, 1 farmaci për mosdhënien e informacionit periodik pranë agjencisë për veprimtarinë e tyre./z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.