STRASBURG – Juncker: Pavarësisht peripecive me Brexit, Europa vijon rrugëtimin

STRASBURG, 16 prill /ATSH-AFP/ – Presidenti i Komisionit Europian, i bëri sot thirrje BE-së për të ecur përpara pa u penguar nga Brexit, pasi konfirmoi se nuk parashikohet shtyrje e mëtejshme e afatit të largimit britanik, pas atij të vendosur më 31 tetor.

‘’Brexit nuk është e ardhmja e BE-së’’, pohoi shefi i ekzekutivit europian përpara eurodeputetëve të mbledhur në seancë plenare në Strasburg për herë të fundit para zgjedhjeve europiane në fund të majit.

Juncker përmendi sfidat e Unionit në muajt e ardhshëm, pasi citoi përfundimet e marrëveshjeve tregtare, emërimin e drejtuesve të rinj të institucioneve si dhe debatin e ashpër për buxhetin për periudhën 2021-2027.

‘’Më e rëndësishme është që Europa të ekzistojë pavarësisht peripecive që rrotullohen rreth Brexit”, theksoi ai.

Liderët europianë pranuan javën e kaluar një shtyrje të re të largimit britanik deri më 31 tetor, kur fillimisht ishte parashikuar në 29 mars, më pas në 12 prill/ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.