Prishtina shumë shpejt me Hartë Zonale

PRISHTINË, 16 prill/ATSH/- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi për bashkëfinancimin e Projektit “Hartimi i Planit Zhvillimor dhe Hartimi i Hartës Zonale të Komunës së Prishtinës”.

Projekti ka vlerën 170 mijë euro, ku 120 mijë janë financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për vitin fiskal 2019, ndërsa 50 mijë euro të tjera janë ndarë nga komuna e Prishtinës.

Ministri Matoshi tha se hartimi i Hartës Zonale është një dokument shumë i rëndësishëm në fushën e planifikimit hapësinor për komunën e Prishtinës.

“Ne jemi dakorduar që bashkë me komunën të përfshihemi në projektin e hartimit të Hartës Zonale dhe sot ky bashkëpunim mes nivelit qendror dhe lokal po finalizohet përmes një Marrëveshje Mirëkuptimi që e nënshkruam bashkë me kryetarin Shpend Ahmeti. Hartimi i Hartës Zonale është një dokument i rëndësishëm për komunën dhe kryeqytetin”, tha ministri Matoshi.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ministri Matoshi dhe kryetari Ahmeti diskutuan edhe për projekte të tjera të përbashkëta si: krijimi i zonave të gjelbra, depozitimi e materieve të ngurta, gjelbërimi vertikal etj.

Ndërsa kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka mirëpritur bashkëpunimin me MMPH-në, në të mirë të mjedisit në kryeqytet, ka bërë të ditur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes një komunikate për media./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.