Presidentja e Senatit italian: Vetingu rindërton besimin tek Drejtësia

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Reforma në Drejtësi dhe bashkëpunimi kundër krimit të organizuar ishin në qendër të takimit që kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi zhvilloi me presidenten e Senatit italian, Elisabetta Casellati gjatë vizitës që po zhvillon në Itali.

Casellati u shpreh se, “Bashkëpunimi me Shqipërinë është solid, i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm, i mbështetur në miqësinë e fortë midis të dy popujve. Ne vlerësojmë reformat e kryera në Shqipëri, sidomos reformën në drejtësi, një reformë e vështirë, e cila po rindërton besimin e qytetarëve te drejtësia. Mbështetja jonë për integrimin e Shqipërisë buron nga roli i Italisë si themeluese dhe kontribuese e paqes, demokracisë dhe ekuilibrave të BE-së. Italia është qartësisht në mbështetje të afrimit dhe pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Italia është kontribuese e paqes, demokracisë dhe ekuilibrave në BE”, u shpreh Casellati teksa vuri theksin tek bashkëpunimi solid, i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm.

Kreu i Kuvendit Ruçi theksoi “Kontributin e mbështetjen që Italia, fqinji ynë i çmuar, ka dhënë dhe vazhdon të japë si avokatja më e fuqishme në rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Demonstrimi i fuqishëm i fundit ishte qëndrimi i qartë italian në Këshillin Evropian vitin e kaluar dhe në mbledhjen e kryeparlamentarëve të BE-së në Vjenë, ne datat 8-9 prill, në lidhje me hapjen e negociatave të pranimit. Ne jemi të bindur se kjo mbështetje do të vazhdoje të jetë po kaq e madhe edhe në ditët që vijnë, deri në qershor 2019. Italia është partneri i parë tregtar, ndër donatorët kryesorë bilateralë dhe një nga partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë dhe bashkëpunimi bazohet në lidhjet historike, kulturore dhe ekonomike. Dialogu ndërshtetëror midis qeverive është i qëndrueshëm, i fortë dhe i integruar nëpërmjet bashkëpunimit të thellë dypalësh në shumë sektorë dhe fusha. Ne jemi të angazhuar që bashkëpunimi politik ti përgjigjet më mirë ndjenjave e miqësisë midis popujve. Kjo vizitë dhe bashkëpunimi ynë janë një hap në këtë drejtim”.

Në lidhje me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Kryetari i Kuvendit Ruçi nënvizoi se “Procesi i Integrimit në BE mbetet nxitja e vetme për vendet e Ballkanit Perendimor. Shqipëria i është mirënjohëse Italisë për rolin pozitiv ndaj Kosovës, veçanërisht për votën e saj në Interpol dhe qëndrimin e saj mbi Forcat e Sigurisë së Kosovës. Shqipëria mbështet Kosovën në procesin e integrimit evropian. Populli kosovar e meriton liberalizimin e vizave dhe Shqipëria inkurajon vendet e BE-së të votojnë për liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur. Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një marrëveshje ligjore detyruese për njohjen reciproke që sjell anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtimin e drejtë të pakicave, bazuar në Kushtetutën e Kosovës”.

Gjatë vizitës në Itali, kryetari i Kuvendit Ruçi u prit edhe nga presidenti i Parlamentit italian, Roberto Fico.

Fico i siguroi Ruçit mbështetje absolute për integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Presidenti i Dhomës së Deputetëve Fico nënvizoi se “Ndjek me vëmendje dhe i njoh shumë mirë zhvillimet në Shqipëri. Dhoma e Deputetëve mbështet fuqimisht bashkëpunimin me Shqipërinë dhe inkurajon qeverinë italiane ta zgjerojë këtë bashkëpunim. Italia është absolutisht në mbështetje të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe këtë unë e nënvizova edhe në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare në Vjenë, në datat 8-9 prill. Integrimi i Shqipërisë dhe rajonit është i rëndësishëm edhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, përballë rreziqeve të jashtme, si rreziku rus”. Fico gjithashtu u shpreh i lumtur që do të vizitojë së shpejti Tiranën.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe delegacioni parlamentar shqiptar, zhvilluan edhe një takim me parlamentar të miqësisë me Shqipërinë, më të cilët biseduan mbi rritjen e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve parlamentare midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Senatit dhe Dhomës së Deputetëve të Italisë. Vizita e delegacionit shqiptar në Itali përfundoi me takimin, me Kryetarin e Grupit Parlamentar te Partisë Demokratike, deputetin Delrio.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.