Parandalimi i rasteve të zjarrit gjatë verës, Prefekti i Shkodrës mbledh Komisionin e Emergjencave Civile

TIRANË, 16 prill /ATSH-Megi Zonja/ Vatrat e zjarrit gjatë stinës së nxehtë të verës janë një nga sfidat e një sërë institucionesh qendrore dhe vendore. Gjatë tre viteve të fundit qarku i Shkodrës është përfshirë nga 287 vatra zjarri, të cilat janë neutralizuar me sukses.

Prefekti i qarkut te Shkodrës, Valdrin Pjetri ka mbledhur në një takim Komisionin e Emergjencave Civile, ku në fokus ishte parandalimi dhe përballja me rastet e zjarreve gjatë stinës së verës.
Ai paralajmëroi se rastet e zjarrvënies së qëllimshme do të kenë prioritet dhe autoret do të dënohen rëndë.

Pjetri u shpreh se, “qëllimi i këtij takimi ishte hartimi i një plan të masash nga çdo institucion vendor, në mënyrë që secili prej tyre të marrë përgjegjësitë e veta për të parandaluar rastet e zjarreve. Tashmë dihet që shumica e vatrave të zjarrit janë po të njëjtat, si dhe mendohet që këto raste zjarrvëniesh janë të qëllimshme dhe për këto raste do të kemi një fushatë sensibilizuese, po ashtu edhe nga institucionet vendore. Për identifikimin e personave zjarrvënës do të ritet bashkëpunimi edhe me policinë dhe Prokurorinë, ku do të ketë edhe ndëshkime sipas ligjit. Janë 422 punonjës që janë angazhuar në këtë plan masash si dhe 30 mjete, por në momentin kur zjarri i kalon përmasat që mund të menaxhohen nga bashkitë respektive, atëherë angazhohen emergjencat civile dhe institucioni i Prefektit, që ju bashkangjitet për t’u ardhur në ndihmë për shuarjen e vatrave të zjarrit. Vlen të kujtohet ndihma e ofruar nga Ministria e Mbrojtjes në vitin 2017, ku vatrat e zjarrit u shuan me ndërhyrjen e helikopterëve nga ajri, pra bashkitë nuk janë vetëm në përballje me raste të tilla”, përfundoi prefekti i Shkodrës.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.