Pakti për Universitetin, hapet sondazhi kombëtar me studentët për cilësinë e mësimdhënies

TIRANË, 16 prill/ATSH/- Studentët do të japin vlerësimet e tyre lidhur me cilësinë e mësimdhënies në universitete.

Në kuadër të Paktit për Universitetin, nis sot “Sondazhi Kombëtar i Studentëve”, nëpërmjet të cilit të gjithë studentët në Shqipëri kanë për herë të parë mundësinë të shprehin mendimin e tyre në lidhje me cilësinë e mësimdhënies dhe mbështetjes institucionale që iu ofrojnë institucionet e Arsimit të Lartë.

Sipas ministrisë së Arsimit, janë kontaktuar rreth 4200 studentë në 8 qytete dhe janë takuar mbi 320 anëtarë të grupeve të punës në 41 Institucione të Arsimit të Lartë.

Nëpërmjet një e-maili që dërgohet nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, mbi 100 mijë studentëve do t’u dërgohet linku nga ku mund të plotësojnë sondazhin online për vetëm 15 minuta.

Sondazhi do të qëndrojë i hapur nga data 16 prill, deri në 2 maj.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.