Interesi i obligacionit trevjeçar u ul me 0,2%

TIRANË, 16 prill /ATSH/- Banka e Shqipërisë bën të ditur se, interesi i obligacioneve 3-vjeçare u ulë me 0,2% duke shënuar nivelin 1.89%, kundrejt ankandit paraardhës. Ndërkohë që krahasuar me një vit më parë (prill 2018) interesi i obligacioneve 3-vjeçare ishte 3,4%.

Aktorët e tregut shprehen se, hyrja në treg e Eurobondit ka diktuar rënien e interesave, por sipas BSH-së, brenda pritshmërive të parashikuara.

Ndërkohë edhe interesat e obligacioneve afatgjata, me maturim 3, 5 dhe 7-vjeçar janë ulur ndjeshëm. “Në ankandin e datës 28 mars obligacioni 5-vjeçar me interes fiks u shit nga qeveria kundrejt 2,90% me një rënie prej 0,90% në krahasim me ankandin paraardhës të datës 28 shkurt”, citon BSH-ja.

Në krahasim me një vit më parë interesi i obligacionit pesëvjeçar gati është përgjysmuar, duke rënë me 2,55%. /e.xh/./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.