Gjermania mbështetje për kufizimin e përdorimit të qeseve plastike në Shqipëri

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Qeveria e Gjermanisë mbështet qeverinë shqiptare në përpjekjet për të kufizuar përdorimin e qeseve plastike në Shqipëri.

“Ne i shohim anës rrugëve, në plazhe dhe rreth lumenjve – Shqipëria vuan nga një ndotje e theksuar nga mbetjet plastike. GIZ-i në emër të Qeverisë Federale Gjermane mbështet Ministrinë shqiptare të Turizmit dhe Mjedisit në përpjekjet e saj për të kufizuar përdorimin e qeseve plastike në Shqipëri. Ne të gjithë duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur mjedisin tone”, është apeli i Ambasadës gjermane në Tiranë.

Ambasada e Gjermanisë jep edhe disa fakte në lidhje me ndotjen që sjell përdorimi i qeseve plastike.

Qeseve plastike u duhen 400-1000 vite për t’u shpërbërë plotësisht. Qeset plastike kthehen në grimca të vogla të quajtura mikroplastika, duke prodhuar lëndë helmuese që ndotin tokën dhe prodhimin ushqimor për njerëzit.

Për shkak të peshës së lehtë, qeset plastike i merr era dhe përfundojnë në lumenj e dete duke i ndotur ato. Kafshët, zogjtë apo peshqit i gëlltisin në vend të ushqimit, çka shkakton helmimin apo mbytjen e këtyre gjallesave.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.