FOTO/ Pragsezoni turistik, aksion pastrimi në Syrin e Kaltër

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Në Syrin e Kaltër, Sarandë ka nisur aksioni i pastrimit pas një situate emergjente të denoncuar në platformën e bashkëqeverisjes nga qytetarë, vizitorë dhe turistë.

Mbi këtë aksion Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura Vlorë ka kërkuar mirëkuptimin e vizitorëve për situatën e punimeve rehabilituese në kuadër të heqjes së mbetjeve inerte nga prishjet e ndërtimeve që ushtronin aktivitet në këtë zonë dhe drurëve të rrëzuar dhe të infektuar në Monumentin e Natyrës Syri i Kaltër.

“Mungesa e një menaxhimi të mirë për vite me radhë na detyron të ndërhyjmë në vazhdimësi për të sistemuar dhe rehabilituar pjesërisht zonën deri në finalizimin e projektit që do të rikonceptojë dhe do të shndërrojë Syrin e Kaltër në kushtet e një hapësire të dedikuar vetëm për edukim dhe natyrë”, njoftoi AKZM, Vlorë.

Deri më tani është bërë e mundur largimi i pemëve të infektuara dhe të thara në monument, si dhe prishja e ndërtimeve brenda sipërfaqes së monumentit me ndihmën e IKMT, Prefektit të Qarkut Vlorë, bashkisë Finiq dhe ushtrisë.

Gjithashtu në këtë hapësirë po punohet vazhdimisht për heqjen e mbetjeve inerte të mbetura nga aksioni i parë dhe mbjellja e pemëve të reja të llojit Rrap në hapësirën e pastruar.

Aksioni i pastrimit do të vijojë përgjatë gjithë muajit prill dhe maj, që sezoni i ri veror të nisë me më shumë cilësi, pastërti dhe standarde, për të pritur më shumë turistë në këtë destinacion. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.