FOTO/ Mbështetje fermerëve në Fier, rehabilitohet kanali kullues në Daullas

TIRANË, 16 prill/ATSH/- Rehabilitimi i sistemit të kullimit dhe vaditjes është padyshim investimi më i mirë që po i bëhet ripërtëritjes së bujqësisë dhe ekonomisë së vendit tonë.

Në fshatin Daullas të njësisë administrative Libofshë vijon puna për rehabilitimin e kanalit kullues, duke sjellë përmirësim të kullimit në disa qindra hektarë tokë bujqësore.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, shprehet se “në Daullas, Libofshë, po vazhdojmë punën për të siguruar sa më parë rehabilitimin e sistemit, për të krijuar kushte më të mira për tokën, prodhimin vendas dhe fermerin”.

Në vetëm dy vite (2016-2018) që bashkia Fier ka marrë në juridiksionin e vet gjithë sistemin e kullimit dhe vaditjes, sot vjen me një rekord ndërhyrjesh.

Në total gjatë kësaj periudhe janë rehabilituar 338 044 ml kanale kulluese, duke bonifikuar rreth 25 578 ha tokë bujqësore.

Kjo ka lehtësuar situatën e përmbytjeve, por edhe ka rritur produktivitetin e tokave bujqësore, po të kemi parasysh se me ndarjen e re territoriale rreth 50% e gjithë territorit të bashkisë Fier është zonë rurale, pothuajse tërësisht bujqësore dhe me tokë shumë pjellore. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.