FOTO/ Durrës, punime mirëmbajtjeje në Torren Veneciane

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Punonjësit e mirëmbajtjes po përkujdesen për monumentet e kulturës për sezonin e ri turistik.

Punonjësit e DRKK Durrës në këtë fillim pranvere kanë pastruar nga vegjetacioni muret rrethuese dhe Torren Veneciane të qytetit, si një ndër atraksionet më të vizituara.

Puna e tyre u përqendrua në pastrimin e Torres Veneciane, sistemimin e terrenit përreth tyre si dhe pastrimin e vegjetacionit të ulët mbi strukturat e mureve rrethuese.

Bashkëpunim i institucioneve me specialistët e mirëmbajtjes do të vazhdojë edhe për pjesën e mbetur të zonës arkeologjike dhe historike, për të siguruar një paraqitje dinjitoze të saj gjatë sezonit të ardhshëm, kur pritet që vizitat në qytet të rriten ndjeshëm.

Kantieret e kulturës çdo ditë po inspektohen nga specialistët dhe institucionet përkatëse për mirëmbajtjen dhe ecurinë e restaurimit të tyre.

Torra Veneciane është një nga vendet më të vizituara në qytetin bregdetar për shkak të pozicionit të saj dhe historitë që ajo mbart. Me pozicionimin pranë detit dhe muri rrethues i saj janë mbetjet më të ruajtura të fortifikimeve bizantine të qytetit. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.