Fondacioni “Lorik Cana 5”, fusha sportive edhe në qytetin e Vlorës

TIRANË, 16 prill/ATSH/ – Bashkia e Vlorës në bashkëpunim me fondacionin “Lorik Cana 5”, do të nisë së shpejti zbatimin e projektit për ndërtimin e infrastrukturës sportive në kopshtet publike, me synim masivizimin e pjesëmarrjes në sport për një jetë më të shëndetshme.

Për këtë qëllim, ish-kapiteni njohur i kombëtares shqiptare të futbollit, u prit sot në një takim nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Vlora iu bashkua nismës së fondacionit “Lorik Cana 5”, ndërsa fillimisht do të jetë një kopsht në qytetin e Vlorës që do të përfitojë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, e cilësoi të rëndësishme këtë nismë.

“Për këtë iniciativë ideatori dhe themeluesi është Loriku, e falënderoj për gjithçka ka bërë për flamurin kuqi e zi. Loriku me kontributin e tij si sportist ka bërë që të ngrejë peshë zemrat e shqiptarëve kudo që janë”, – theksoi Leli.

“Të falënderoj jo vetëm për iniciativën për të cilën ke ardhur sot, por edhe për imazhin dhe punën e madhe që ke bërë si sportist për të ngritur lart vlerat e kombit dhe flamurin kuq e zi”, iu drejtua Leli ish-kapitenit të Kombëtares.

“Të gjithë e mbështesim idenë tënde për ta çuar më tej ashtu si ka ndodhur në qytetet e tjera të Shqipërisë”, tha Leli.

Ish-kapiteni i ekipit tonë kombëtar në futboll, Lorik Cana, tha se “qëllimi i programit është të shtrihet në të gjithë vendet ku ka bashkëkombas në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni.

“Kemi filluar me Tiranën, Elbasanin dhe Shkodrën, ndërkohë që po pasqyrojmë prezencën tonë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kemi shumë njerëz që na shkruajnë, po Korça, Berati dhe shumë, shumë po Vlora. Është dëshira jonë që të fillojmë. Ne jemi të pranishëm në qytetet më të mëdhenj. Vlora është një nga qytetet më të rëndësishme. Kemi dëshirë që ta nisim së pari nga qytete që kanë edhe një trashëgimi kulturore, ku përshihet edhe sporti”, – theksoi Cana.

Cana u shpreh se “deri në fund të 2019 vetëm në Shqipëri do të ketë mbi 1 mijë fëmijë brenda programit të fondacionit”.

Ai tha se “do të gjejmë njerëzit dhe partnerët e duhur për të punuar sa më mirë me fëmijët.

Leli dhe Cana vizituan edhe disa nga mjediset se ku mund të vendoset këndi sportiv në kopshte.

Fillimisht ata janë ndalur tek kopshti i ri pranë shkollës “Ismail Qemali”. Ky është një projekt afatgjatë që do të shtrihet edhe në kopshtet e tjera publike, ku krahas infrastrukturës, një vëmendje do t’i kushtohet edhe zbatimit të programit të duhur didaktik dhe pedagogjik. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.