Ekspertim për Admir Murataj, gjykata kërkon raport më të plotë nga prokuroria

TIRANË, 16 prill /ATSH-A. Fortuzi/- Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të martën që t’i japë dy javë kohë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të përpiluar një raport më të plotë dhe me më shumë prova për vdekjen e Admir Muratajt, një nga autorët e grabitjes së ndodhur në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ngjarje e ndodhur më datë 9 prill rreth orës 15:30′ minuta.

Sipas vendimit të marrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, prokuroria përpos certifikatës së vdekjes duhet të plotësojë një raport më të detajuar, me prova të tjera, lidhur me shkaqet që çuan në vdekjen e Muratajt. Sipas Gjykatës, prokuroria duhet të sigurojë një sërë dokumentesh të tjera si akt ekspertime të vendit të ngjarjes apo edhe të viktimës. Këto dokumente do të shërbejnë për të vërtetuar vdekjen për të mbyllur procesin për akuzat e mëparshme ndaj Muratajt, në lidhje me grabitjet e ndodhura më parë, pasi Murataj, ishte në kërkim si organizatori i 3 grabitjeve me blinda në harkun kohor të 2015-2017.

Ky i fundit mbeti i vrarë gjatë tentativës për t’u larguar nga aeroporti me paratë e grabitura në pistën e Aeroportit. Murataj, sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat policore të cilat ndërhynë për të ndaluar largimin e grupit kriminal. Atij, tashmë me urdhër të prokurorisë dhe vendim gjykate i është sekuestruar pasuria. Ndërsa pjesa tjetër e grupit arriti të largohej, por mjeti me të cilin ndodhi grabitja nuk u dogj dhe Policia ka gjetur prova të rëndësishme materiale.

Seanca e radhës do të mbahet në 2 maj, ora 9:00. Grupi i Muratajt u dënua gjatë marsit me më shumë se një shekull burg, ndër ta edhe vëllai i Admir Muratajt, Aleksandër Murataj, për disa grabitje të tjera të ndodhura më herët. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.