Veliaj i jep titullin “Simbol i qytetit”, gjeneral lejtnant Rrahman Parllakut

TIRANË, 15 prill/ATSH/ – Ka heronj dhe mbi heronj, por gjeneral Rrahman Parllaku mbetet mbi të gjithë një hero i gjallë dhe krenari e qytetit.

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes, bashkia e Tiranës e ka nderuar atë me titullin “Simbol i qytetit të Tiranës”, një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste.

Titulli iu dorëzua nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e vlerësoi gjeneral Parllakun si simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike.

“Bashkia Tiranë i jep certifikatën për titullin “Simbol i qytetit të Tiranës” z. Rrahman Parllaku, me motivacionin “patriot që luftoi fashizmin, figurë emblematike e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjenerali që sfidoi regjimin e diktaturës komuniste, dhe Hero i Popullit, titull që diktatura komuniste ia hoqi, por historia ia përjetësoi. Ndaj, qyteti i Tiranës, që sapo ka hyrë në vitin jubilar të 100-vjetorit të shpalljes Kryeqytet i Shqipërisë, ka krenarinë që t’i japë titullin e nderit “Simbol i Qytetit” bashkëmoshatarit të saj shekullor, i cili për kontributin e tij është kthyer në simbol të gjallë të kujtesës patriotike, qytetare dhe historike”, u shpreh Veliaj.

Gjenerali Rrahman Parllaku është ndër të paktët partizanë që jetojnë dhe dëshmojnë histori të tre kohëve, të partizanit e luftëtarit antifashist, heroit e komandantit ushtarak dhe atë të persekutimit komunist.

Veliaj u shpreh se gjeneral Parllaku është simboli i njerëzve që pavarësisht sakrificave, ka dhuruar vetëm dashuri dhe mirësi.

Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, Rrahman Parllaku kujtoi betejat në luftën për çlirimin e Tiranës, ndërsa theksoi në këtë 100-vjetor të tij se jeta është e këndshme me të mirat e të këqijat e saj. Ai shprehu mirënjohjen ndaj kryebashkiakut Veliaj për këtë vlerësim që i bëhet në përvjetorin e lindjes.

“Në Tiranë kam ardhur me Brigadën e 3-të dhe luftova një muaj e gjysmë. Kemi bërë 22 aksione brenda qytetit, komandën e kishim në Priskë. Kur kujtoj këto ngjarje, ato baticat e zbaticat e mia në jetë, them që jetova. Jeta nuk është siç thonë: hyra këtu e dola atje. Jeta është e këndshme, me të mirat e të këqijat e saj. Edhe nga të këqijat, edhe nga burgu, mësova diçka. Njeriu mëson edhe nga vuajtjet, jo vetëm nga të mirat; mëson edhe nga të këqijat. Ju faleminderit për nderimin”, tha Parllaku.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.