Ruçi nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Portocannones

TIRANË, 15 prill/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi gjatë vizitës së tij në rajonin Molise të Italisë, përuroi bustin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe njëkohësisht u nderua edhe me titullin “Qytetar Nderi” i Portocannones.

Për të pritur delegacionin shqiptar kishin dalë me qindra banorë të qytetit, autoritete lokale dhe fëmijët e shkollave. Një flamur gjigant kuqezi ishte vendosur në sheshin qendror të qytetit dhe valëvitej në duart e dhjetëra  fëmijëve.

“Është një nder i madh për qytetin tonë të kemi mes nesh për herë të parë një autoritet të lartë shtetëror nga Shqipëria. Dhe këtë respekt na e bëri Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi”, tha mes entuziazmit dhe duartrokitjeve kryetari i bashkisë, Giuseppe Caporicci.

Caporicci vijoi duke u shprehur se “Ne i jemi atij thellësisht mirënjohës për nxitjen e lidhjeve dhe bashkëpunimit të katër komunave arbëreshe të rajonit Molise me Shqipërinë dhe për sjelljen mes nesh të bustit të heroit kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeut dhe qyteti nderohet duke i dhënë z. Ruçi titullin “Qytetar Nderi””.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi përuroi bustin e Skënderbeut, vepër e Skulptorit të Popullit, Muntaz Dhrami, dhuruar bashkisë së Portocannones, nga këshilli i qarkut Tiranë. Busti i heroit tonë kombëtar, u vendos në hyrje të ndërtesës së bashkisë së qytetit.

Pasi falenderoi kryebashkiakun Caporicci për iniciativën, Ruçi nënvizoi se: “Nuk sollëm ne Skënderbeun, por na solli Skënderbeu mes jush dhe na bëri bashkë, Skënderbeu është një figurë e madhe europiane e botërore, për betejat legjendare që udhëhoqi për mbrojtjen jo thjesht të vendit të tij, por të Europës, të frymëzuara nga vizioni i Krishtërimit e qytetërimit europian. Thënia e tij e njohur “Lufta ime është lufta juaj”, drejtuar kancelarive dhe aleatëve të pavendosur europianë, përmbante farën e idesë se që para pesë shekujsh, por më shumë, në botën e ardhshme globale, fatet e kombeve, shteteve dhe popujve ishin dhe mbeten të ndërvarur. Prandaj nuk mund të ketë prosperitet, paqe dhe siguri nëse popujt, kombet dhe forcat progresiste nuk bëhen bashkë kundër të këqijave të kohës”.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se: “Më shumë sesa një vlerësim për rolin tim modest në fuqizimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis të dy vendeve tona, midis rajonit Molise dhe qarqeve të Shqipërisë, ky nderim është një frymëzim për të rritur kontributin tim, për të fuqizuar bashkëpunimin midis të dy anëve të Adriatikut, sidomos bashkëpunimin midis qarqeve dhe bashkive të të dy vendeve. Është një përgjegjësi e madhe, por edhe një nder i madh t’i përgjigjesh bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe të dy popujve tanë me përkushtimin, cilësinë dhe rezultatet që meritojnë. Por, unë ju premtoj se, do t’ia arrij ta realizoj këtë mision.”

Kreu i Kuvendit ishte i shoqëruar nga një sërë personalitetesh si kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kryetarja e Komisionit të Jashtëm dhe Kryetare e Grupit të Miqësisë me Italinë, Mimi Kodheli, Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi dhe ambasadorja e Shqipërisë, në Itali, Anila Bitri.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.