Protesta e opozitës krijoi imazh negativ për Shqipërinë dhe turizmin

TIRANË, 15 prill /ATSH-Megi Zonja/ Deputetja e PS-së Milva Ekonomi gjatë një interviste televizive ka komentuar protestën që zhvilloi opozita dy ditë më parë, duke thënë se sjellja e protestuesve detyroi Policinë që të hidhte gaz lotsjellës dhe ujë.

Ekonomi tha se “këto protesta kombëtare që kanë këtë numër bëhen sa herë që ne kemi Parlament, ne jemi të mbështetur ose mbikëqyrur nga tre kordonë policie dhe kemi një shoqërues që na çon deri në hyrje të sallës së Parlamentit. Imazhet që pamë të shtunën janë imazhe që lëvizin në gjithë mediet ndërkombëtare, bëjnë një imazh negativ për Shqipërinë dhe për turizmin. Kur Alibeaj ka thanë është shpirti i protestës, por nuk besoj se është shpirti i popullatës në protestë. Në fakt ajo që ne shikojmë është se protesta ka një skenar të pakonfirmuar dhe përfundon me një himn të stonuar. Nuk është se ka një mesazh tjetër, është një mesazh i përsëritshëm. PS ka një qëndrim konkret për këtë gjë. Palët politike kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje”.

Më tej deputetja e Partisë Socialiste u është përgjigjur deklaratave të Edi Palokës dhe Enkelejd Alibeajt, të cilët janë shprehur se nuk shkojnë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.

Ajo u shpreh se PS do shkojë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

“Kjo opozitë la në baltë elektoratin e vet. Liderët politikë duhet të jenë të matur për ta çuar Shqipërinë drejt BE. Të shkuarit në zgjedhje është një nga elementët e funksionimit të demokracisë. Zëvendësimi i tyre në Parlament po bëhet. Opozita, që nuk është një opozitë e re, por është një opozitë me elementë të rinj, që po merr vrull në Parlament. Ka debate në Parlament. Po vihet re që po gëlon edhe njohuria parlamentare. Do shkohet në 30 qershor dhe zgjedhjet janë detyrim. Kjo është një nga rrugët që ka zgjedhur PS për të shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit. Dhe udhëheqës politik edhe shpirtëror kemi zotin Edi Rama. Me Edi Ramën ne në 30 qershor hapim qendrat e votimit”, u shpreh Ekonomi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.