Papunësia e rinisë, Sorensen: Rënie historike, 22,3% në tremujorin e fundit të 2018-së

TIRANË, 15 prill /ATSH/ – Papunësia e rinisë në tremujorin e fundit të 2018 ka qenë në shifrat më të ulëta historike, në 22,3%.

Zv/ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, deklaroi sot në një intervistë televizive se, “sipas të dhënave të fundit nga INSTAT që kanë qenë për tremujorin e katërt të 2018, shumë shpejt do të publikohen edhe të dhënat për tremujorin e parë të 2019, rezulton se papunësia rinore në 2018 ishte 23,2%. Në tremujorin e fundit veçanërisht ka qenë në shifrat më të ulëta historikisht 22,3%. Ndërsa në 2015 papunësia ka qenë 33,2%. Në 2014 ka qenë 32,5%. Pra kemi një rënie substanciale të papunësisë tek të rinjtë”.

“Sa i përket pjesëmarrjes, se sa aktiv janë të rinjtë në tregun e punës ka një trend në rritje. Nga 33,8% që ka qenë në 2013-ën ka shkuar në 50,1% në 2018-ën. Teksa veçanërisht në tremujorin e fundit ka qenë 52,5%”, tha Sorensen.

E pyetur se çfarë ka bërë qeveria për rritjen e punësimit, Sorensen tha se, “nuk është vetëm shteti që krijon vende pune, por edhe bizneset. Bizneset janë ata që punësojnë të rinjtë dhe për fat të mirë, bizneset janë fuqizuar dhe punësimi nga ta ka qenë më i madh”.

Sorensen theksoi se, “rritja ekonomike aktuale në Shqipëri po bën që punësimi i të rinjve të njohë rritje. Ajo tha se shtimi i bizneseve në vend ka bërë që punësimi të njohë rritje. Bizneset e suksesshme krijojnë vende pune. Punësimi nuk mund të mundësohet vetëm në këndin e asistencës së të rinjve në tregun e punës”.

Sa i përket arsimit profesional, Sorensen tha se iu kushtua rëndësi për t’i dhënë spunto ekonomisë dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Fokusi, theksoi ajo “është tek trajnimi i vazhdueshëm i të rinjve dhe të rejave gjatë gjithë jetës. Të rinjtë e sotëm duhet të përgatiten që në jetën e tyre të bëjnë disa karriera dhe duhet që aftësitë t’i kenë të përditësuara në mënyrë të vazhdueshme”.

“Kemi 10 qendra të formimit profesional në Shqipëri që ofrojnë kurse që pajisin të rinjtë me aftësi për tregun e punës”, u shpreh Sorensen, duke shtuar se, “formimi profesional është për ata që mund të kenë hyrë dhe dalë në mënyrë të vazhdueshme në tregun e punës”.

Sa i përket emigrimit të të rinjve Sorensen tha se, emigrimi jo domosdoshmërisht është gjë e keqe. Unë vetë kam studiuar jashtë. Mund të shkosh dhe të punosh të aftësohesh jashtë dhe më pas ato eksperienca i sjell në vendin tënd”.

Për sa i përket punësimit të ekselentëve, Sorensen tha se, “në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë një numër substancial i ekselentëve janë integruar si në Ministri edhe në institucionet e varësisë. Këta të rinj janë përzgjedhur dhe do të ketë një proces deri në integrimin e plotë të tyre. Pasi përfundon afati një vjeçar në momentin që kanë një vlerësim pozitiv nga eprorët e tyre ata mund të futen si pjesë e aparatit të administratës. Ky vit shërben si një moment prove dhe nëse performanca e tyre është në lartësinë e duhur ata bëhen e pjesë e administratës. Kam qenë e impresionuar pozitivisht nga këta të rinj dhe të reja”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.