“Pakti për Universitetin”, 15 studentë ekselentë punësohen në Ministrinë e Brendshme

TIRANË, 15 prill /ATSH- A. Fortuzi/ – Në Ministrinë e Brendshme janë punësuar 15 studentë të ekselencës falë “Paktit për Universitetin”, përmes portalit “punetembare.al”.

Agjencia Telegrafike Shqiptare gjatë një vëzhgimi në Ministrinë e Brendshme, ka takuar 6 prej studentëve që kanë një mundësi të artë tashmë për të nisur karrierën e tyre profesionale pranë institucioneve më të rëndësishme në vend, duke krijuar kështu një eksperiencë të vyer, me të cilën mund të konkurrojnë denjësisht në tregun e punës.

Në zbatim të vendimit të qeverisë “Për punësimin e studentëve të ekselencës në institucionet e Administratës Shtetërore, pjesë e Shërbimit Civil për vitin 2019”, përmes aplikimit në platformën “punetembare.al”, studentë me mesatare të notës 9 deri 10, janë përzgjedhur për periudhën njëvjeçare, të punojnë pranë Ministrisë së Brendshme.

Disa prej këtyre studentëve u shprehën për Agjencinë Telegrafike Shqiptare të impresionuar nga transparenca e modelit të aplikimit dhe përzgjedhjes në portalin “punetembare.al”, duke treguar gatishmëri e përkushtim në angazhimin e punës së nisur, ku për asnjë çast siç thanë ata, “nuk mungon mbështetja dhe profesionalizmi i stafit të Ministrisë”.

“Kam përfunduar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Master Shkencor Publik. Ishte një mundësi e mirë portali “punetembare.al”, aplikova për të krijuar më shumë akses në tregun e punës përmes një CV-je më të pasur dhe me eksperiencë të vyer. Aktualisht punoj te Drejtoria e Programeve në Ministrinë e Brendshme dhe jam e bindur se do më japi krah në fushën profesionale”, – tha Nikoleta Macaj.

“Kam mbaruar Fakultetin e Drejtësisë për Shkenca Juridike. Aplikova te portali “punetembare.al” si rrjedhojë e “Paktit për Universitetin”. Falë kësaj nisme që ishte e bazuar te meritokracia, jam këtu në Ministrinë e Brendshme dhe këtë punë e shoh si një mundësi të mirë për të ecur në karrierë. Unë punoj këtu te Sektori Juridik dhe përfaqësojmë në gjyqe Ministrinë e Brendshme”, – tha Armando Toma.

“Unë kam përfunduar studimet te Fakulteti i Drejtësisë. Falë portalit jam punësuar edhe unë si Armando te Sektori Juridik dhe e shoh si një mundësi të mirë për të prekur nga afër punën dhe për të përparuar në karrierë“, – u shpreh Besmira Hoxha.

Kam përfunduar Master Shkencor në Fakultetin e Drejtësisë. Aplikova tek portali “punetembare.al”, që lindi falë “Paktit për Universitetin”. Jam përzgjedhur të punoj te Ministria e Brendshme në Sektorin e Mbikëqyrjes. Kam gjetur një ambient të ngrohtë, shumë të mirë dhe ku të gjithë kolegët na mbështesin. Kjo eksperiencë është mjaft e vyer për të na rritur profesionalisht dhe për të pasuruar kurrikulën tonë“, – tha Aida Koçi.

“Unë kam përfunduar Master në Drejtësi për “European Bussines Law”. Aplikova te portali “punetembare.al” dhe u përzgjodha të jem pjesë e stafit të Ministrisë së Brendshme, te Seksioni i Mbikëqyrjes së Politikave dhe Strategjive të Rendit dhe Sigurisë Publike. Puna më është dukur dinamike, e pasur dhe kam gjetur ndihmën dhe mbështetjen nga stafi. Mendoj se kjo eksperiencë do jetë tepër e vlefshme si profesionalisht, ashtu edhe në sistemin e Administratës Zgjedhore”, – tha Margarita Vogli. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.