Misioni i OKB-së në Sudanin e Jugut, Koçi: Shqipëria do të paraqitet denjësisht

TIRANË, 15 prill/ATSH/- Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i pranishëm në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, të hënën, u shpreh se pjesëmarrja e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS) do të realizohet me dinjitet.

Zv.ministri Koçi para deputetëve të Komisionit të Sigurisë sqaroi se aktualisht është ndërmarrë një akt normativ, i cili ka fuqi ligjore deri në momentin kur shprehet Kuvendi.

“Paraprakisht duhet thënë se akti normativ ka fuqi ligjore deri sa parlamenti të shprehet. Së dyti, shkuarja atje në një mision para dislokimit e trajnimit është kompetencë e ministrit të Mbrojtjes. Pra, mund të dërgohen ushtarakë jashtë vendit për detyra të caktuara, por jo me mision. Nëse marrin pjesë në mision duhet vendimi i Këshillit të Ministrave dhe më pas i Kuvendit”, tha Koçi.

Sipas tij, janë përzgjedhur 2 ushtarake në mision. “Ky vendim vjen edhe në kuadër të plotësimit të rezolutës së Kombeve të Bashkuara për barazi gjinore. Kjo shpreh dhe dinjitetin e Shqipërisë për t’u përfaqësuar sa më mirë në këtë mision e për të kryer detyrën sipas nevojave. Përzgjedhja e ushtarakëve gjithnjë bëhet sipas kritereve të caktuara dhe sipas gradave të kërkuara nga misioni”, shtoi Koçi.

Përgjithësisht, tha zv.ministri, ne po tentojmë të dërgojmë ushtarakë që në të kaluarën nuk kanë qenë pjesë e këtyre misioneve. “Ky është një nga kriteret që ne ndjekim pa dëmtuar cilësinë dhe plotësimin e detyrave të misionit sipas kërkesave”, tha Koçi.

“Kjo, shtoi ai, është një detyrë po themi e natyrës në shtab, përgjithësisht. Janë natyrë zbulimi, informative dhe hetimi… Detyra që ushtarakët tonë do ta bëjnë më së miri”, tha Koçi, duke iu përgjigjur dhe interesit të deputetëve të Komisionit të Sigurisë.

Komisioni Sigurisë shqyrtoi të hënën aktin normativ nr. 1, datë 20.03.2019 “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS)”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.