Meta në Romë: Shqipëria potencial sfidues në dobi të angazhimit të NATO-s

TIRANË, 15 prill /ATSH/ – Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë si i “Ftuar i Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë.

Duke marrë fjalën në këtë takim, Presidenti Meta, tha se, “Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, me qëllim që të vijojë më tej rolin e pazëvendësueshëm të forcimit të stabilitetit në Ballkan”.

“Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, veçanërisht në përmbushjen e rolit të saj të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti në rajon, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si mbështetëse e vendosur e politikës së ‘Dyerve të Hapura’ të NATO-s dhe si partnere strategjike e Aleancës përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme”, – tha Meta.

Vetëm disa ditë më parë, vijoi Presidenti, ne festuam në Tiranë 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO, si një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe si një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ky proces nuk do të ishte i suksesshëm pa mbështetjen dhe ndihmën e sinqertë të miqve tanë dhe partnerëve, vendeve anëtare të NATO-s. Gjatë procesit të anëtarësimit të saj në NATO, Shqipëria ka pësuar transformime të thella, ka përballuar sfida të vështira dhe ka pasur arritje të jashtëzakonshme. Transformimet e brendshme politike, reformat kushtetuese dhe ligjore, reforma në sistemin ekonomik por veçanërisht reforma e thellë në planin e politikës së jashtme, sistemin e sigurisë dhe atë të mbrojtjes përbëjnë arritjet më të spikatura të vendit tim në përmbushjen e detyrimeve për t’u anëtarësuar në NATO. Vendosja e kontrollit civil demokratik mbi strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes dhe transformimi i FASH nga një ushtri popullore me koncepte të luftës së ftohtë në një ushtri moderne dhe profesioniste është aspekti më mbresëlënës i këtij procesi”, – tha Meta.

Ndërsa theksoi se, jo vetëm gjatë këtij procesi transformues të thellë për shoqërinë shqiptare, por edhe sot, mbështetja konstante e qytetarëve shqiptarë (mbi 90%), ajo e opinionit publik, shoqërisë civile dhe konsensusi i gjerë politik dhe gjithëpërfshirës janë elementët që e veçojnë rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke treguar kështu jo vetëm orientimin politik por para se gjithash orientimin dhe përkatësinë perëndimore të shqiptarëve.

“Angazhimi jonë në NATO nuk i shërben vetëm sigurisë sonë kombëtare dhe zhvillimit të vendit por mbi të gjitha është një përgjegjësi e madhe për t’i shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë së rajonit tonë, në Mesdhe dhe më tej. Pozicioni gjeostrategjik i Shqipërisë është një potencial sfidues në dobi të angazhimit të NATO-s, por njëkohësisht një terren lakmues dhe atraktiv i ambicieve dhe qëllimeve të aktorëve të tjerë shtetërore dhe jo shtetërorë që synojnë dobësimin e Aleancës, përçarjen e Bashkimit Europian dhe minimin e mirëbesimit reciprok që na bashkon në NATO dhe BE”, – u shpreh Meta.

“Axhenda jonë euroatlantike përballet sot edhe me kërcënimin në rritje të radikalizmit dhe terrorizmit fetar, ekstremizmit të dhunshëm, luftëtarëve të huaj dhe pasojave të luftës së tyre, emigracionit të paligjshëm dhe trafikut të qenieve njerëzore dhe narkotikëve që rrezikojnë interesat tona kombëtare dhe interesat e Aleancës Në këto kushte na duhet të forcojmë partneritetin dhe besimin brenda gjirit të Aleancës, të rrisim bashkëpunimin, ndarjen e përvojës dhe informacionin veçanërisht mes agjencive të specializuara dhe strukturave përkatëse të sigurisë. Shqipëria garanton përmbushjen e përgjegjësive të saj, angazhimin dhe përkushtimin e solidaritetin në dobi të ‘mbrojtjes dhe sigurisë kolektive’ të çdo anëtari të NATO-s dhe të interesave strategjike të Aleancës”, – deklaroi Presidenti Meta.

/e.xh/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.