Manifestimi i “Eksod ’99” në Mitrovicë

TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/ – Me moton “Përkujtojmë tragjedinë – Festojmë lirinë”, u kujtua sot në Mitrovicë, 20-vjetori i eksodit.

Kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu mori pjesë në nisjen e manifestimit përkujtimor “Eksod ’99” në Mitrovicë, aktivitet i përbashkët me komunën e Mitrovicës në kuadër të 20-vjetorit të eksodit.

Shehu tha se 20 vite me parë, Kukësi bëri detyrën në pritjen e madhe e bujare të vëllezërve të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre etnike.

“Sot jemi te vetëdijshëm se ajo sakrificë e kontribut është kthyer në prosperitet e zhvillim të përbashkët ekonomik, social, e kulturor drejt rrugës së integrimit europian. Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave e Shqipëria të ftesës për anëtarësim në BE. Dy shtetet e një kombi duhet të punojnë më shumë për integrimin e përbashkët dhe zhvillimin në të gjitha fushat. Sot Mitrovica është në qendër të vëmendjes kombëtare dhe bashkimi i saj është një obligim kombëtar, për të cilin urojmë të ndodhe sa me shpejt. Jam i privilegjuar që sot jam pikërisht në Mitrovicë, ku pas 20 vitesh situata ka ndryshuar dhe mund të themi së jemi në rrugë të mbare e pa kthim prapa”, – përfundoi Shehu.

Vlerësime maksimale për pritjen vëllazërore dha edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri shprehu mirënjohje për banorët e Kukësit për atë çfarë bënë, në një kohë kur Shqipëria në përgjithësi e kuksianet në veçanti kishin vështirësi të shumta ekonomike, e megjithatë arritën të përballojnë të paimagjinueshmen, me më shumë se 500 mijë të shpërngulur.

“Kjo sakrificë nuk mund të harrohet asnjëherë, ndaj iu falenderojmë me gjithë zemër”, – u shpreh Bahtiri.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bahtiri akordoi mirënjohje për bashkinë e Kukësit, për kontributin e dhënë gjatë luftës se vitit 1999. Gjatë ceremonisë, të ftuarit ndoqën edhe një program artistik të përbashkët me artistet e Kosovës dhe rapsodët e Kukësit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.