Korçë/ Investimet në ujësjellësit ruralë, zgjidhet problemi i ujit të pijshëm për disa fshatra

TIRANË, 15 prill /ATSH/- Investimet që po zbatohen në rrjetin e ujësjellësve të rinj në fshatrat e Korçës: Shamoll, Malavec, Qatrom dhe Goskova do të sigurojnë më në fund furnizim me sasi të plotë të ujit të pijshëm për çdo abonent.

Programi i investimeve që po ndërmerr bashkia Korçë, për rehabilitimin e plotë dhe me standarde të rrjetit të ujësjellësit në zonat rurale parashikon, financimin e rreth 310 milionë lekë, në ujësjellësin Shamoll e Malavec.

Rreth 226 milionë lekë investime në ujësjellësin e Goskovës dhe 70 milionë lekë në ujësjellësin e Qatromit.

Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo shprehet se, investimet do të shërbejë për ndërtimin e depove, linjave të transmetimit dhe rrjeteve shpërndarëse të ujit për këto fshatra. 

Bashkia e Korçës është një prej përfitueseve kryesore të projektit “SAVE – WATER” nga fondet IPA, zbatuar nga Këshilli i Qarkut Korçë.

Ndërkohë që programi për investimet në rrjetin e ujësjellësve në zonat rurale të vendit, është projektuar nga qeveria shqiptare me synim rehabilitimin/ndërtimin e skemave të furnizimit me ujë, që i shërbejnë fshatrave/grupfshatrave që kanë një numër të vogël banorësh të përhershëm dhe që prej vitesh ishin lënë në harresë dhe pa investimet e nevojshme në këtë fushë.

e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.