KLP dërgon emrat e 10 prokurorëve për Veting, disa prej tyre kandidatë për SPAK

TIRANË, 15 prill/ATSH/ – Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur të hënën për të marrë disa vendime të rëndësishme.

KLP sot mori vendim për zëvendësimin e Ferdinand Elezit, drejtues në Prokurorinë e Apelit Durrës dhe Edison Ademi, drejtues i Prokurorisë Sarandë. Të dy këto drejtues u shkarkuan nga KPK javën e kaluar. Në këtë kuadër, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës pranë KLP propozoi Sali Hasën për caktim të përkohshëm 3-mujor si drejtues në Sarandë. Ky propozim u miratua me 7 vota pro. Po ashtu, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës pranë KLP propozoi për caktimin e përkohshëm në Prokurorinë e Apelit Durrës të Ludovik Dodës, i cili u miratua me 10 vota.

Në fillim të mbledhjes, KLP mori vendimin me 6-të vota pro për mospranimin e anëtarit më të ri të këtij Këshilli, Vate Staka, në zbatim të nenit 116 ligjit 115/2016, i cili saktëson se “anëtari i ri merr pjesë në mbledhjet e Këshillit pas përfundimit të afatit të ankimimit (pas marrjes së një vendimi i lihet çdo subjekti që preket nga vendimi të ankimojë vendimin në instancat përkatëse brenda një afati kohor prej 5 ditësh pune)”.

KLP miratoi raportin për analizën e aftësive profesionale te prokurorëve, Manjola Kajani; Ened Nakuci, Eugen Beci, Njazi Seferi, Doloreza Musabelliu, Blerim Tominaj, Elisabeta Imeraj, Olsian Cela, Përparim Kulluri, Vladimir Mara. Një kopje e këtij raporti i dërgohet menjëherë KPK dhe ONM.

KLP ka bërë verifikime të hollësishme për të kaluar këta prokurorë në Veting. Disa nga këto subjekte janë kandidatë edhe për anëtarë të prokurorisë speciale SPAK dhe do të kenë përparim në procesin e Vetingut.

KLP gjithashtu ka miratuar me 5 vota pro, caktimi në detyrë (rikthim në sistemin e prokurorisë) pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë, të prokurorit Leonard Filopati për shkak të mbarimit të afatit të komandimit të këtij prokurori në Ministrinë e Drejtësisë. Po ashtu u miratua me 5 vota pro caktimi në detyrë i prokurorit Bledar Valikaj në Prokurorinë e Shkallës së Parë Tiranë.

Në kuadër të rendit të ditës KLP, miratoi me 8 vota pro projektvendimi për mbarimin e statusit të prokurorit Shahin Pasha për efekt të mbushjes së moshës për pension. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.