Institucionet shëndetësore/ Plotësimi i standardeve bazë të akreditimit, kriter për mbajtjen e licencës

TIRANË, 15 prill/ATSH/ – Institucioneve shëndetësore që nuk kalojnë pragun e standardeve bazë do t’u pezullohet aktiviteti.

Gjatë prezantimit të projektligjit të ri të kujdesit shëndetësor në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prezantoi ndryshimet në projektligjin e ri të kujdesit shëndetësor, i cili përcakton për herë të parë një lidhje organike mes procesit të akreditimit dhe licencimit të institucioneve shëndetësore publike dhe jopublike.

“Plotësimi i standardeve bazë të akreditimit do të jetë kriter për mbajtjen e licencës për ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve shëndetësore. Pas marrjes së licencës, të gjithë aktivitetet private do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit dhe plotësimit të standardeve bazë dhe në rast mosplotësimi të tyre do të revokohet licenca”, deklaroi Manastirliu.

Në lidhje me ndryshimet në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor, Manastirliu tha se do të ketë më shumë transparencë në vendimmarrjen e Ministrisë së Shëndetësisë me krijimin për herë të parë të dy organeve të rëndësishme këshillimore pranë Ministrit.

“Këshillit Kombëtar i Shëndetësisë dhe Këshilli Kombëtar i Pacientëve do të jetë pjesë e vendimmarrjes në hartimin e strategjive dhe programeve kombëtare të shëndetësisë, në ndryshimet ligjore dhe në përcaktimin e politikave prioritare shëndetësore”, tha Manastirliu.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm i ligjit të kujdesit shëndetësor lidhet me vendosjen për herë të parë të procesit të auditimit klinik, bazuar mbi protokollet klinike.

“Auditimi klinik dhe auditimi i praktikës mjekësore sipas protokolleve klinike është një proces i rëndësishëm për vlerësimin e cilësisë së shërbimit për pacientët në institucionet e kujdesit shëndetësor”, tha Manastisliu. Duke vlerësuar frymën e transparencës në projektligjin e ri të kujdesit shëndetësor, ministrja tha se një ndryshimin tjetër i rëndësishëm që propozohet nëpërmjet këtij projektligji ka si qëllim të krijojë dhe të ruajë një sistem unik të informacionit shëndetësor.

Dy ndryshime të rëndësishme që parashikon ky projektligj në lidhje me profesionistët e shëndetit është vendosja në ligj e procedurave transparente të punësimit si dhe lidhja e edukimit në vazhdim me certifikimin e profesionistëve të shëndetësisë.

“Portali ‘Infermierë për Shqipërinë’ do të jetë e vetmja mënyrë ku profesionistët e shkencave teknike mjekësore do të mund të aplikojnë për punësim, duke shmangur në këtë mënyrë çdo formë korrupsioni apo mitmarrje për një vend pune, duke garantuar transparencë, punësim sipas meritës dhe konkurrueshmëri”, tha Manastirliu.

Ndërsa përmirësimi dhe forcimi i sistemit të edukimit në vazhdim, do të jetë parakusht për rilincecimin e profesionistëve të shëndetësisë. Në ndryshimet e propozuara është plotësuar kuadri rregullator për provimin e certifikimit që duhet të jepet nga profesionistët e shëndetësisë që nuk plotësojnë numrin e krediteve të edukimit në vazhdim.  /z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.