Hysi: Protestat dëmtojnë negociatat, por edhe biznesin e sezonin turistik

TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/ – “Protesta i bën një dëm të madh proceseve integruese të Shqipërisë”, deklaroi sot nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, ndërsa theksoi se protesta e së shtunës e opozitës ishte e dhunshme.

Duke folur në një studio televizive për protestën e opozitës, nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi tha se protesta është një e drejtë në shoqëritë demokratike dhe të gjithë kanë  kontribuar për të fituar të drejtën e fjalës të lirisë, por protesta e ditës së shtunë ka qenë një protestë e dhunshme dhe për nga numri ishte e pakët.

Hysi tha se protesta në radhë të parë i ka bërë një dëm të madh vendit.

“Ne jemi në një periudhë që presim hapjen e negociatave në qershor dhe nuk është thjesht imazhi i Shqipërisë, por është një dëm që i bëhet proceseve integruese. Dhe integrimi nuk është thjesht një stacion ku Shqipëria do të shkojë sepse do të bëhet pjesë e një familjeje europiane dhe për të thënë se do hapim negociatat me BE, por është një nevojë, një kërkesë e shqiptarëve dhe asnjë forcë politike nuk mund të dalë dhe të bjerë ndesh me kërkesën e më shumë se 90% të shqiptareve që kërkojnë të bëhen pjesë e familjes europiane”, theksoi ajo.

Po ashtu, Hysi tha se një dëm tjetër që i bëhet vendi është se jemi në prag të hapjes së sezonit turistik në Shqipëri që nuk është më ai i verës, por është më i gjatë që fillon në pranverë, e përfshin dhe vjeshtën dhe po shkon deri në dhjetor.

“Natyrisht pamje të tilla me flakë apo lëndë djegëse që hidhen drejt policisë e institucioneve trembin turistët. Po ashtu, protesta u sjell një dëm të madh edhe bizneseve”, tha ajo.

Hysi shtoi se organizatorët e protestës mbajnë përgjegjësi ligjore kur nga demonstruesit ushtrohet dhunë.

“Ka një ligj të posaçëm të tubimeve dhe çdo tubim ka një organizator dhe në njoftimin që bëhet tregohen të gjitha detaje e protestës si kohëzgjatja, numri i protestuesve. Por organizatori është shumë i rëndësishëm pasi sa herë të ketë probleme si rrezikimi i jetës së protestuesve thirret organizatori për largimin e këtyre protestuesve që janë të dhunshëm dhe nëse nuk arrin të bëjë diçka, duhet të mbyllë protestën. Në rastin e protestës të së shtunës policia u ka bërë disa herë thirrje organizatorëve për të ndaluar dhunën. Është kjo arsyeja që Ministria e Brendshme ka kërkuar ndjekje penale për organizatorin e protestës së opozitës”, tha Hysi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.