Haradinaj: Ndryshimi i kufijve hap çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan

PRISHTINË, 15 prill/ATSH/ – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaron se hapja eventuale e kufijve do të hapë çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan.

Gjatë akademisë përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të betejës së Zhegocit dhe 50 dëshmorëve të brigadës “Kadri Zeka”, Haradinaj tha se nuk duhet pranuar të diskutohet çështja e kufijve në bisedimet në Bruksel.

“Janë gabim deklaratat e udhëheqësve europian se mund të diskutohet territori, kufijtë e Kosovës.Të gjithë ata zyrtarë ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë, se hapja e kufijve do të hap po ashtu çështjen e shqiptarëve, çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan. Nëse janë të gatshëm me e hap ketë çështje atëherë e hapim, por nëse jo nuk guxojmë të vazhdojmë me deklarime sikur sot kemi dëgjuar komisioneri Hahn, i cili tha se nëse palët janë dakord flasim për kufij. Nuk duhet të pranojmë që të flitet për kufijtë e Kosovës në asnjë tryezë nga askush”, tha Haradinaj.

Ai deklaroi se “liria jonë është e sigurt, sepse për garant ka të rënët për liri dhe ka pikërisht vendin ku pushojnë heronjtë dhe dëshmorët tanë”, tha ai duke shtuar se “mohimi i Kosovës së sotme nga kushdo që bëhet, si Kosovë e tërë është gabim”.

Haradinaj tha se në tavolina të bisedimeve mundet vetëm të konfirmohet ajo që ka vendosur populli i Kosovës, pra një Kosovë e pavarur që duhet të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë, edhe në BE, në NATO, në OKB, por assesi një Kosovë që diskutohet territori i saj, kufijtë, toka e saj”. /KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.