Gjirokastra e trashëgimisë kulturore përballë sfidave të zhvillimit të turizmit

TIRANË, 15 prill/ATSH/ – Maji është muaji kur tradicionalisht zbarkojnë autobusët e parë me turistë në qytetin e gurtë. Vitin e kaluar numri i turistëve i kaloi 150 mijë. Këtë vit dukshëm sezoni ka filluar një muaj më herët. Numri i turistëve e vizitorëve pritet të rritet gjithmonë e më shumë.

Bashkë me të edhe kërkesa për akomodim dhe shërbime. Kjo ka bërë që të nxiten investimet, veçanërisht në qendrën historike. Ajo mbetet edhe zona preferuar e turistëve për të bujtur. Prej aty kanë akses të shpejtë në monumentet e kulturës si shtëpia e Skëndulatëve apo kulla e Babametove dhe sigurisht për në kalanë hijerëndë.

Pazari i vjetër i Gjirokastrës zgjohet ngadalë nën zhurmën e çekanëve të mjeshtrave që punojnë për rikonstruksionin e shtëpive të vjetra. Shumë shpejt ato do të jenë bujtinat apo hotelet e reja që do të presin turistë nga të gjitha anët e botës.

Dielli i këtij mesprilli nuk ka kaluar ende mbi Kullën e Sahatit të kalasë hijerëndë, por aroma e petullave të mëngjesit që të përkëdhel flegrat dhe tymi i oxhakëve të tregojnë se brenda shtëpive të qendrës historike dita ka filluar me kohë.

“Shpresojmë të na mbajë moti. Po mbajti kështu siç është sot është koha e duhur për të hedhur gurët”, thonë Spiro Bezhani ose papu Pilo dhe Drini Gjoni, të dy mjeshtra të kalldrëmit.

Maji është muaji kur tradicionalisht zbarkojnë autobusët e parë me turistë në qytetin e gurtë. Vitin e kaluar numri i turistëve i kaloi 150 mijë. Këtë vit dukshëm sezoni ka filluar një muaj më herët. Promovimi përmes rrjeteve sociale, por edhe përmes medieve të huaja të specializuara në turizëm dhe udhëtime duket se po jep rezultat. Numri i turistëve e vizitorëve pritet të rritet gjithmonë e më shumë. Bashkë me të edhe kërkesa për akomodim dhe shërbime. Kjo ka bërë që të nxiten investimet, veçanërisht në qendrën historike. Ajo mbetet edhe zona preferuar e turistëve për të bujtur. Prej aty kanë akses të shpejtë në monumentet e kulturës si shtëpia e Skëndulatëve apo kulla e Babametove dhe sigurisht për në kalanë hijerëndë.

Nëse shkon sot në Gjirokastër dhe viziton qendrën historike, te Qafa e Pazarit do të gjesh një kantier ndërtimi. Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punon për rikualifikimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve në Qafën e Pazarit. Ndërhyrja po kryhet në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Rrjeti inxhinierik nëntokësor po ndërtohet nga e para dhe pas tij do të vazhdojë restaurimi i 6000 metrave katrorë kalldrëme dhe rehabilitimi i mbi 900 metrave katrorë hapësira publike. Kur i qasesh pazarit nga sheshi i Sheshi i Çerçizit një tabelë në hyrje tregon se investimi në total është rreth 1 milion euro.

Pas shqepjes së kalldrëmeve gurët ekzistues që nuk ishin dëmtuar gjatë viteve janë inventarizuar dhe janë magazinuar me kujdes. Kantieri gëlon nga makineritë dhe punëtorët që po punojnë për ndërtimin e linjës së ujësjellësit, sistemit të ndriçimit, rrjetit të telefonisë dhe fibrave optike, kanalizimeve të ujravë të zeza dhe të bardha, kunetave dhe pusetave. “I gjithë rrjeti inxhinierik nëntokësor po ndërtohet nga e para”, – thotë Pavli Miço, inxhinier i Fondit Shqiptar të Zhvillimit që menaxhon kontratën për këtë projekt. Kjo pjesë e qytetit nuk ka pasur asnjëherë një rrjet inxhinierik të mirëfilltë, por tashmë bizneset që po zhvillohen në këtë zonë, turistët dhe vizitorët e shumtë kanë nevoja për shërbime bashkëkohore.

Franco një turist italian dhe miku i tij anglez kanë mësuar për Gjirokastrën nga rrjetet sociale. “Po përpiqem të bëj një foto të kësaj godine të mrekullueshme, por këto telat ma prishin kuadrin”, thotë Franco duke qeshur, teksa përpiqet nga të gjitha këndet dhe pozicionet të godinën që është kthyer në simbolin e Qafës së Pazarit.

Projekti rehabilitimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve në Qafën e Pazarit synon të krijojë një model të ri projekteve zhvillimore në vend. Ai është integruar më së miri me projektin e ndërhyrjeve restauruese në fasadat dhe çatitë e objekteve në këtë zonë. Projekti përfundoi vitin e kaluar dhe u financua nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Para dhe gjatë zbatimit të projektit Fondi Shqiptar i Zhvillimit është konsultuar edhe me KfË që ka në plan të financojë ndërtimin e ujësjellësit të Gjirokastrës. “Jemi konsultuar me të gjithë ato institucione që kanë kryer ose planifikojnë ndërhyrje në këtë pjesë të qytetit. Qëllimi ka qenë që ky rrjet që po ndërtojmë sot të përputhet më së miri me çdo projekt tjetër që është gati sot ose që do të planifikohet në të ardhmen”, thotë Miço.

Ideja është e thjeshtë: të shmanget ajo që ka ndodhur rëndom me investimet në infrastrukturën rrugore kur një rrugë e saposhtruar hapet nga sërish për të kryer investimin ujësjellësi, kompania e telefonisë, etj. “Kalldrëmet u hapën që të punohet në të gjitha drejtimet dhe në bashkëpunim me të gjithë aktorët e mundshëm, në mënyrë që kur të shtrohen të mos hapen sërish”, thekson Miço.

Deri në shkurt dëbora dhe ngrica e bënin të pamundur progresin e punimeve në kantier. “Por që prej fundit të shkurtit kemi avancuar shumë shpejt. E gjithë fuqia punëtore dhe inxhinierike për momentin është përqendruar në mbylljen e punimeve për rrjetin inxhinierik nëntokësor që më pas të vijojmë me shtrimin e kalldrëmeve”, thotë Miço. Ai shton se presioni nga bizneset dhe banorët për të avancuar me punën është i madh dhe i kuptueshëm. “Përveçse një zonë historike, Pazari i Vjetër është shndërruar edhe në një qendër biznesesh e shërbimesh dhe janë burim të ardhurash për shumë banorë. Nga ana tjetër gjirokastritët e duan Pazarin e Vjetër siç ishte. Ne po punojmë t’i realizojmë jo vetëm në kohë, por mbi të gjitha me cilësi”.

Gurët ekzistues të kalldrëmeve pas shqepjes do të përdoren për të shtruar akset kryesorë të Qafës së Pazarit. Rrugët nga Qafa e Pazarit në drejtim të lagjes Hazmurat, Sheshit të Çerçizit, kalasë dhe godinës së Këshillit të Qarkut do të shtrohen 100% me gurë ekzistues. “Një pjesë e kalldrëmeve ishte dëmtuar ndër vite nga kalimi i automjeteve. Për zëvendësimin e këtyre gurëve kemi kryer disa analiza dhe kemi gjetur gurin që është i njëjtë me gurët ekzistues. Është gur nga Mashkullora”, thotë Pavli Miço.

Projekti për rehabilitimin e rrjetit inxhinierik dhe restaurimin e kalldrëmeve në Qafën e Pazarit i është nënshtruar konsultimeve të hapura me aktorë dhe grupe interesit në faza të ndryshme. Kjo me qëllim që të gjithë palët e interesuara të mund të shprehin shqetësimet e tyre dhe të reflektohen zgjidhjet përkatëse. Dorjan Llogo përfaqësues i shoqatës së bizneseve në zonën TID në qendrën historike thekson se investimi është i domosdoshëm dhe fakti që FSHZH është përfshirë në zbatimin e tij është një garanci shumë e mirë për cilësinë e punimeve.

“Projekti i ndërhyrjeve në fasada dhe çati dhe ky që po zbatohet tani janë dy projekte të integruara. Në këtë kuptim ne e kemi ndjekur nga afër dhe kemi ngritur një sërë çështjesh që i shikonim si problematike, të cilat më pas morën zgjidhje. Që në atë kohë jemi informuar që ndërhyrja në kalldrëme do të ishte krejt e ndryshme nga përvojat e mëparshme. Nëse ka një grup interesi i cili është i interesuar që projekti të ecë siç duhet, ky është grupi i biznesit”, thotë Llogo.

Investimet publike kanë qenë një nxitës i shkëlqyer për investimet private. Vetëm në vitin 2018 në zonën e Pazarit të Vjetër janë investuar 2 milionë Euro nga sipërmarrësit privatë. “Këto para janë investuar vetëm në zonën TID, që nuk përfaqëson të gjithë Pazarin e Vjetër. Dy hotele te reja u ndërtuan nga e para, në 2019-ën po zgjerohen kapacitete të tjera akomoduese. Për të mos folur për biznese të tjera më të vogla që ofrojnë shërbime të tjera si restorantet për shembull. Turizmin e huaj e kemi. Tani po synojmë vizitorët vendas dhe të zgjasim sezonin turistik duke mbuluar edhe dimrin me vizitorët vendas”.

Llogo i mëshon vazhdimisht faktit që punimet duhen kryer sa më shpejt me qëllim që dëmi te bizneset të jetë sa më i ulët. Gjithsesi ai është optimisht që mbyllja e punimeve për rrjetin inxhinierik do të shënojë edhe mbylljen e fazës më kritike të projektit në kuptimin e impaktit vizual te banorët, bizneset, turistët e vizitorët. “Të mbarohet me rrjetin inxhinierik dhe trotuarët, të largohet zhurma dhe pluhuri dhe pastaj shtrimi i kalldrëmit mund të vazhdojë me ritmet që nevojiten. Vetë puna për shtrimin mund të kthehet në një atraksion turistik për vizitorët”, thotë Llogo.

Kalldrëmet e Qafës së Pazarit – shumë zhurmë për asgjë

Shqepja e kalldrëmeve nuk kaloi pa reagime në rrjetet sociale, por edhe nga gjirokastritët në vend. Ndërsa të parët nxorrën konkluzionin se kalldrëmi u shkatërrua dhe nuk bëhen më, të dytët janë më të matur në atë çfarë thonë.

“Është një investim i domosdoshëm, por e duam kalldrëmin siç ishte dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë Irena, e cila ka marrë me qira një ambient të vogël në Qafën e Pazarit ku shet suvenire dhe ofron shërbime të ndreqjes së orëve.

Në fakt, meraku i gjirokastritëve nuk është i pajustifikuar. Më herët në një lagje të qytetit kalldrëmi u restaurua, por puna e bërë nuk ishte cilësore. Për ata që i njohin gjirokastritët e dinë që përpara cilësisë nuk vënë asgjë tjetër.

“Kalldrëmi nuk do buzë të bukura, por këllqe të forta”, të thotë që në fillim Drini Gjoni, një ndër mjeshtrat e kalldrëmit dhe suvave. Ai merret me këtë punë që në moshën 16-vjeçare. Suvaja e Babametove, shtegu i Vezirit dhe shumë zona të tjera të qendrës historike, përveç mjeshtrave të tjerë, kanë edhe dorën e Drinit në to.

Drini është pjesë e grupit të punëtorëve që janë kontraktuar për kalldrëmet. Ndërsa inxhinierët kujdesen që tubat të kenë materialin e duhur, rrezen e duhur dhe të shtrohen në vendin e duhur, Drini kujdeset që bazamenti i kalldrëmit të jetë i fortë dhe gurët e tij të lidhen me materialet e duhura, që t’I rezistojnë kohës. Tamam siç punonin mjeshtrat e vjetër dikur.

“Bazamenti i kalldrëmit duhet të jetë i fortë, i ngjeshur mirë, nivelet të sakta dhe pendenca e llogaritur. Kur të vijnë ujërat e shiut të shkojnë në një anë apo kur të ecin këmbësorët ta ndjejnë sa më pak pjerrësinë”. Kjo ishte me pak fjalë teknika “kurriz peshku” tipike për kalldrëmet e Gjirokastrës. “Pasi të jemi siguruar që bazamenti është i fortë fillojmë merremi me gurët. Sekreti për lidhjen e gurëve qëndron te rëra ose ‘perona’, që për gurët e kalldrëmit është si gozhda”, thotë Drini, i cili e di shumë mirë ku është gjetur rëra që u përdor për kalldrëmet e restauruara në vitet ‘60-‘70.

Për t’u siguruar që nuk do të ketë asnjë gabim ai konsultohet herë pas here me mësuesin e më vonë kolegun e tij, Spiro Bezhani ose “papu Pilo” siç e njohin të gjithë në qytet. Papu Pilo është marrë 33 vjet me kalldrëmet dhe nuk ka asnjë sekret që lidhet me ta, që ai të mos e dijë.

“Aty ku ka filluar të shtrohet është mirë. Po të mbahet kjo dorë është mirë. Unë kam shkuar 2-3 herë në kantierin ku po punohet. Nga meraku që të shoh se ç’po bëhet. U kam dhënë edhe porosi si t’i vendosin spangot që të vijnë vërdallë kollaj kur të punojnë,” thotë Papu Pilo.

Një ndër shqetësimet e shprehura here pas here për kalldrëmet është edhe mosangazhimi i mjeshtrave lokalë. Papu Pilo është ndoshta i vetmi nga mjeshtrat që është ende aktiv. Mjeshtrat e tjerë, siç thotë ai ose janë shumë të shtyrë në moshë ose kanë ndërruar jetë.

“Të rinjtë nuk e preferojnë këtë punë. Ka pasur nga ata që janë trajnuar nga disa organizata të huaja, por ata nuk mund t’i angazhosh në restaurimin e këtij kalldrëmi këtu. Nuk janë akoma gati. Për këto kalldrëme duhen njerëz që kanë përvojë dhe që ia dinë sekretet zanatit”, thotë Papu Pilo.

Historia e kalldrëmeve nuk mbaron me kaq. Ato mbartin edhe shumë sekrete të fshehura nën vete. Por kjo është një histori tjetër.

Laureta Spahiu – Fondi Shqiptar i Zhvillimit

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.