Gazi lotsjellës në protestë, PD padit në Prokurori policinë dhe ministrin Lleshaj

TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/ – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka depozituar sot në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë  Tiranë, padi kundër ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit me akuzën përdorim i gazit lotsjellës në protestë.

Në një prononcim për mediet, Bardhi tha se depozitoi të gjitha faktet dhe provat e disponuara nga Partia Demokratike dhe sqarimet dhe pretendimet mbi veprimet e kundërligjshme të drejtuesve dhe punonjësve të policisë së shtetit të cilët, sipas tij, me urdhër politik kanë sulmuar qytetarët duke i penguar në ushtrimin e drejtës së tyre të protestës.

“Organi i prokurorisë ka detyrimin ligjor që bazuar në informacionet e transmetuar në medie të nisë kryesisht hetimet  ndaj drejtuesve të policisë, fakt i cili nuk ka ndodhur dhe që ka detyruar Partinë Demokratike të depozitojë kallëzim penal me shkrim. I bëj thirrje organit të prokurorisë të ngrihet në lartësinë e detyrës së vet, të mbrojë liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Nuk është një organ në varësi të Ministrisë së Brendshme, ka qenë para 30 vitesh. Sot ka 40 qytetarë që janë në burg pa asnjë provë, për shkak se kanë ushtruar të drejtën e tyre të protestës. Nuk ka një pamje filmike që kanë kryer veprim të dhunshëm, ndërkohë nuk ka një hetim ndaj askujt që ka shkelur ligjin dhe ka dhunuar qytetarët”, – tha ai.

Më tej Bardhi tha se ministri i Brendshëm protestën e konsideron ngjarje të jashtëzakonshme, kriminale në Shqipëri, ndërsa vjedhjen e aeroport e konsideron incident.

“Askush nuk mund t’i trembë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të protestës, pasi të protestosh është e drejtë kushtetuese në demokraci”, përfundoi Bardhi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.