Foto/ Zgjerohet paketa e shërbimeve shëndetësore për fëmijët

TIRANË, 15 priil/ATSH/ – Për t’u kujdesur për shëndetin e fëmijëve në të gjitha rajonet e vendit, ka nisur sot trajnimi i ekipit shëndetësor që do të zhvillojnë vizita në shtëpi.

Trajnimi “Integrimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale në praktikën e konsultorit të fëmijës – mbështetje familjeve për mirëqenien e fëmijëve” mbështetur nga zyra e UNICEF në  Shqipëri, synon krijimin e një ekipi trajnerësh të kualifikuar për programin e vizitave në shtëpi në Shqipëri për qarqet Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Tiranë, të cilët do të ofrojnë trajnimin e të gjithë personelit shëndetësor që kujdeset për shëndetin e fëmijëve në rajonet respektive.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, trajnimi do të ofrojë përmirësim të njohurive teorike të pjesëmarrësve për rolin e ri dhe të zgjeruar të programeve të vizitave në shtëpi.

“Kjo iniciativë është në përputhje me politikat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që fokusohen drejt investimit në shëndetin e fëmijëve si dhe garantimin e një qasje holistike, sociale dhe shëndetësore, gjatë ofrimit të shërbimeve për fëmijët dhe familjet në të cilat ata rriten”, bën të ditur ISHP.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.