FOTO/ Muzeu i Fotografisë ”Marubi”, një shekull histori në fokus

TIRANË, 15 prill /ATSH/ – Muzeu Kombëtar i Fotografisë ”Marubi” në Shkodër është një thesar i cili përfshin një arkiv prej mbi 500 000 negativash, që përshkruajnë familjet, qytetarët, ushtarë, politikanë dhe tregtarët lokalë në Shkodër, momentet e përditshmërisë dhe ngjarjet historike nga mesi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka vizituar këtë muze duke bërë një rrugëtim mes ngjarjeve dhe objekteve të cilat tregojnë historinë, kulturën dhe trashëgiminë kulturore në fotografie dokumentare dhe artistike të mjeshtrit Marubi.

“Një vizitë e këndshme në Muzeun Kombëtar të Fotografisë ”Marubi””, shprehet Margariti.

Muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” është muzeu i parë i fotografisë në Shqipëri, si dhe një nga më të pasurit në rajonin e Ballkanit, që daton nga një periudhë kohore nga fundi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.

Më 9 maj 2016, muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” u përurua së bashku me koleksionin e Bibliotekës së Fotografive. Muzeu i ri është një prej trashëgimive më të rëndësishme të kulturës shqiptare, pasi ai dëshmon për më shumë se një shekull të historisë dhe hedh dritë mbi momente, njerëz dhe ngjarje të rëndësishme që shërbejnë si një pasaportë thelbësore për kulturën shqiptare. /a.a/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.